TIRANË, 7 prill/Albania Express News/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni deklaroi sot se Shqipëria pozicionohet si lider në rajon nga SIGMA në fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore, ndërsa shtoi se administrata publike preferohet nga të rinjtë.
Gjatë prezantimit të platformës së punësimit, Pirdeni theksoi se qëllimi i këtij mekanizmi është sigurimi i kapaciteteve njerëzore për të përballuar sfidat kryesore, mes të cilave procesi i integrimit në Bashkimin Evropian.
Sipas saj, iniciativa vjen në vijim të përpjekjeve për forcimin e administratës publike.
Pirdeni theksoi se portali unik i punësimit i mundëson çdo punëkërkuesi, që dëshiron të bëhet pjesë e administratës publike, që të ketë një dritare të vetme unike aplikimi.
“Kjo vjen në kuadër të një sërë iniciativash që po marrim për ta ripozicionuar 360 gradë administratën shqiptare”, tha Pirdeni.
Sida kryesore sot, sipas ministres, mbetet sigurimi i kapaciteteve të nevojshme njerëzore që të përballojë sfidën që sjell anëtarësimi i Shqipërisë në BE.
“Kjo e vendos administratën publike nga njëra anë, në një punëdhënës konkurrues në treg për të përthithur kapacitetet më të mira që ne kemi, por edhe në pozicionin e saj si megastrukturë që duhet të mbajë gjallë procesin e negociatave që vijon me ritme të përshpejtuara tashmë”, shtoi Pirdeni.
Ministrja u ndal te reforma në administratën publike, duke veçuar rishikimin tërësor të sistemit të pagave në administratë.
“Kjo jo vetëm i përgjigjet nevojave të tregut, por e pozicionon administratën publike në një punëdhënës që mund t’i qëndrojë trendeve të kohës. Po vendosim një sistem të drejtë pagash që merr në konsideratë dhe ndryshimet e vazhdueshme të zhvillimeve ekonomike në vend”, tha ajo.
Duke filluar nga ky vit, Pirdeni theksoi se ka nisur indeksimi sistematik i pagave në normën e inflacionit.
Pirdeni theksoi se administrata publike mbetet një nga ato mundësi punësimi që është prioritare për të rinjtë.
“Kemi një moshë mesatare të aplikantëve afro 33 vjeç. Kemi 20-21 kandidatë në çdo pozicion pune në administratën publike dhe një moshë mesatare të administratës publike në tërësi 40 vjeç, që është më e reja në rajon. Sot jemi atraktivë për të rinjtë, por duam të mbetemi atraktivë”, tha Pirdeni.

