Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dënoi sot vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit dhe plagosjen e dy qytetarëve.
Në një reagim Koçiu tha se është thellësisht e tronditur nga lajmi i rëndë i vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë, Astrit Kalaja dhe plagosja e dy qytetarëve, brenda sallës së gjykatës.
Ministrja Koçiu u shpreh se “e dënoj me forcë këtë akt barbar dhune dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e viktimës, kolegët e tij, duke u uruar shërim të shpejtë të lënduarve”.
“Forcat e Policisë së Shtetit – të cilat duhet sqaruar për opinionin publik se në bazë të ligjit nuk kanë asnjë përgjegjësi për kontrollin e hyrje-daljeve dhe sigurinë brenda godinave të gjykatave – kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje”, sqaroi Koçiu.
Ministrja Koçiu informoi se autori është ndaluar menjëherë dhe se janë angazhuar ekspertët më të mirë për të këqyrur në bashkëpunim me prokurorët, përmbushjen e detyrave të ligjit nga ana e punonjësve të sigurisë të gjykatës.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, ku është qëlluar me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja, i cili për pasojë ka humbur jetën. Nga të shtënat janë plagosur gjithashtu dy persona të tjerë, palë në një proces gjyqësor.