Ministria e Mbrojtjes: Plani si do të përdoren 5% të financimeve për ushtrinë

Shqipëria do të përmbushë kriterin e anëtarësimit në NATO për financim në 5% të PBB-së të sektorit të mbrojtjes. A ka një plan Ministria e Mbrojtjes se si do të përdoren këto financime? Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Mbrojtjes ka plan konkret mbi mënyrën e shpërndarjes së 5% të PBB. Nga këto, 3.5% të PBB do të shpenzohen për kapacitetet e mirëfillta të mbrojtjes, ndërsa 1.5% e PBB do të shpenzohen për infrastrukturën e mbrojtjes, forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe realizimin e projekteve konkrete si Korridori VIII dhe Porti i Porto Romanos (Bashkëfinancim me NATO-n), si dhe projekte të tjera në funksion të përmirësimit të infrastrukturës dhe aseteve ajrore.

Si do të funksionojnë kompanitë për prodhimin e armëve për eksport si rasti i Uzinës së Autotraktorëve dhe tjera si këto? Në Uzinën e Autotraktorëve nuk do të prodhohen armë dhe municione. Kompanitë e prodhimit të armëve, për të eksportuar këto mallra, si fillim duhet të licencohen pranë Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), në Ministrinë e Mbrojtjes. Ky institucion ka për objekt të veprimtarisë kontrollin shtetëror mbi eksportin, importin, kalimin tranzit, transferimin dhe veprimtaritë ndërmjetësuese për mallrat ushtarake dhe mallrat e teknologjitë me përdorim të dyfishtë. Dhe më pas, këto mallra mund të eksportohen.

Cilat janë përfitimet e ekonomisë shqiptare nga industria ushtarake dhe në çfarë niveli do të arrijë sektori i mbrojtjes?

Në një kontekst të ri gjeopolitik dhe të sigurisë, Shqipëria po afirmohet si një vend që jo vetëm garanton sigurinë e vet, por kontribuon aktivisht në arkitekturën e sigurisë euroatlantike. Në këtë kuadër, zhvillimi i industrisë ushtarake nuk është më një opsion, por domosdoshmëri strategjike dhe ekonomike. Industria ushtarake shqiptare po kalon nga një fazë pasive në një rol aktiv dhe prodhues. Ajo nuk synon vetëm të përmbushë nevojat e Forcave të Armatosura, por është konceptuar si një platformë eksportuese që adreson kërkesat në rritje të tregut ndërkombëtar të sigurisë.

Kjo e pozicionon Shqipërinë si një aktor të ri në zinxhirin global të furnizimit të mbrojtjes. Modeli i zgjedhur është modern dhe i qëndrueshëm: një bashkëpunim ndërmjet shtetit dhe kompanive vendase e të huaja. Ky partneritet garanton transferim teknologjie dhe njohurish, rritje të kapaciteteve prodhuese kombëtare, integrim të bizneseve shqiptare në zinxhirin industrial të mbrojtjes. Zhvillimi i industrisë ushtarake gjeneron efekte shumëfishuese në sektorë të tjerë të ekonomisë nëpërmjet krijimit të vendeve të reja të punës në prodhim, inxhinieri, logjistikë dhe teknologji.

Zhvillohet industria civile në mbështetje të zinxhirëve të furnizimit të industrisë ushtarake dhe rigjallërimi i zonave industriale të lëna pas dore, si Rubiku, Shkoza, Poliçani dhe Gramshi. Paralelisht me këto zhvillime rritet vlera e pasurive, pasi investimet publike dhe private rrisin vlerën e pronave dhe nxisin zhvillimin urban. Ndërkohë rritet kërkesa për fuqi punëtore të kualifikuar, nxitet arsimi profesional dhe bashkëpunimi me institucionet arsimore. Industria ushtarake nuk është më një sektor i izoluar teknik, por një burim i qëndrueshëm të ardhurash për shtetin dhe qytetarët. Ajo kontribuon në diversifikimin e ekonomisë kombëtare, rritjen e eksporteve me vlerë të shtuar dhe forcimin e sovranitetit ekonomik dhe teknologjik.

Çfarë synohet konkretisht të prodhohet nga industria ushtarake ?

Synimet janë montimi i mjeteve të blinduara dhe të specializuara ushtarake. Prodhimi i uniformave ushtarake dhe municioneve të kalibrave të vegjël. Montimi i armëve të lehta dhe sistemeve të artilerisë vetëlëvizëse 155 mm dhe zhvillimi i dronëve me teknologji të avancuar. Ndërtimi i anijeve të reja në Kantierin Detar të Pashalimanit. Gjithashtu, Shqipëria po krijon një bazë industriale të mbrojtjes që është e aftë të operojë në të njëjtin nivel me vendet e tjera të NATO-s, duke përmbushur standardet teknike dhe operacionale të aleancës.

Në linjë me vendimet e fundit të Samitit të NATO-s në Uashington, ku u theksua nevoja për rritjen e kapaciteteve prodhuese të mbrojtjes, Shqipëria po pozicionohet si një vend kontribuues në këtë përpjekje të përbashkët. Rritja e buxheteve të mbrojtjes në nivel aleance krijon një treg të ri dhe të qëndrueshëm për produktet “Made in Albania”. Industria ushtarake shqiptare më shumë se një projekt ekonomik, konsiderohet si instrument i modernizimit të shtetit, një garanci për sigurinë kombëtare

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Tregani në qendër të zhvillimit: mbi 2 milionë euro investime në dy vite

Në kuadër të procesit të Buxhetimit me Pjesëmarrje, Kryetari...

Charter drejt liqenit: nga viti 2027 turistët do të zbresin në Pogradec për pushime disa ditore

Nga Artin Halili Prej vitesh, agjencitë më të mëdha turistike...