Ministri Andis Salla /Shqipëri–Kosovë drejt një tregu të përbashkët bujqësor: marrëveshje e re për fermerët dhe standardet e BE-së

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës në sektorin e bujqësisë po hyn në një fazë të re zhvillimi, me synimin për të ndërtuar një treg më të integruar dhe konkurrues në shërbim të fermerëve dhe qytetarëve të të dy vendeve. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë një vizite zyrtare në Kosovë, u prit nga homologu i tij, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, në një takim që konfirmoi vullnetin e përbashkët për thellimin e partneritetit strategjik.

Në qendër të diskutimeve ishte rritja e shkëmbimeve tregtare të produkteve bujqësore, garantimi i sigurisë ushqimore, forcimi i shërbimeve veterinare dhe zhvillimi i gjithë zinxhirit agroushqimor. Dy ministrat ndanë bindjen se koordinimi i politikave dhe ndarja e praktikave më të mira do të sjellë përfitime konkrete, duke rritur cilësinë e prodhimit dhe duke lehtësuar qarkullimin e produkteve në tregjet respektive.

Një tjetër pikë kyçe e bashkëpunimit mbetet përafrimi me standardet e Bashkimit Europian. Ministri Salla theksoi se Shqipëria po punon intensivisht për harmonizimin e legjislacionit në kapitujt 11, 12 dhe 13 të lidhur drejtpërdrejt me bujqësinë, sigurinë ushqimore dhe zhvillimin rural një proces që pritet të ndikojë pozitivisht edhe në bashkëpunimin me Kosovën. Në këtë kuadër, ekipet teknike të dy vendeve do të vijojnë takime të rregullta për të ndjekur zbatimin konkret të marrëveshjeve dhe për të avancuar më tej projektet e përbashkëta.

Objektivi afatgjatë i këtij bashkëpunimi është krijimi i një tregu të përbashkët agro-ushqimor, i mbështetur në standarde europiane, digjitalizim të shërbimeve dhe rritje të besimit institucional. Ky zhvillim shihet si një hap i rëndësishëm drejt integrimit ekonomik rajonal dhe një mundësi reale për të fuqizuar sektorin bujqësor në të dy vendet.

Me këtë frymë bashkëpunimi, Shqipëria dhe Kosova synojnë të ndërtojnë një model të suksesshëm rajonal, ku fermerët përfitojnë më shumë akses në treg, ndërsa konsumatorët garanci më të lartë për cilësinë dhe sigurinë e produkteve ushqimore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME