AC Milan shpërdoroi një mundësi të artë për të thelluar diferencën në krye të Serie A, pasi u ndal në një barazim surprizë 2-2 ndaj Pisas në “San Siro” — në një ndeshje që mund t’u kishte dhënë miqve fitoren e parë historike në transfertë ndaj kuqezinjve.
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për vendasit, që kaluan në avantazh në minutën e 7-të me një gol spektakolar të Rafael Leão, pas një depërtimi të fuqishëm nga e majta dhe goditjeje të saktë nga 20 metra. Pjesa e parë u mbyll pa rrezik serioz për portën e Milanit, por gjithçka ndryshoi pas pushimit.
Në minutën e 59-të, pas verifikimit me VAR, Pisa fitoi një penallti për prekje me dorë të De Winter, që u shndërrua në gol nga Juan Cuadrado. Kuqezinjtë reaguan menjëherë, por goditja e dytë e Leão u përplas në traversë, ndërsa portieri Šemper ndali në mënyrë fantastike një “bombë” të Saelemaekers.
Kur dukej se Milani po shtynte për fitoren, në minutën e 86-të Nzola befasoi “San Siron” me golin e dytë për Pisën, duke e çuar rezultatin në 1-2. Por në minutat shtesë, Zachary Athekame shënoi golin e barazimit, duke i shpëtuar kuqezinjtë nga një humbje e turpshme.
Me këtë rezultat, Milan mbetet vetëm dy pikë përpara Interit, ndërsa Pisa ngjitet nga vendi i fundit në të 18-in, duke marrë një pikë historike në “San Siro”.



