Më shumë se 3000 telefonata dhe mbi 170 takime të Ilir Metës nga qelia, nuk kanë mjaftuar që trajtimi i tij në burg të konsiderohet sipas standardeve. Avokati i Popullit ka nxjerrë një raport të detajuar për këtë të paraburgosur, ku kritikon burgun për masat ndaj tij dhe kërkon reflektim të menjëhershëm.
Gjatë qëndrimit të tij në qelitë e burgut 313 në Tiranë, Ilir Meta, figura më e lartë shtetërore në historinë e vendit e arrestuar nga SPAK, ka kryer mijëra telefonata e qindra takime.
Megjithatë, ai është ankuar tek Avokati i Popullit për trajtim çnjerëzor në burg. Inspektimi dhe raporti i nxjerrë nga Avokati i Popullit, tregon disa të dhëna interesante.
“Për sa i takon numrit të telefonatave, për periudhën 26 Tetor 2024 deri më 18 gusht 2025, Z. Ilir Metaj rezulton se ka kryer 3005 telefonata, me kohëzgjatje që varion nga minimumi 1 minutë deri në maksimumi 34 minuta. Sipas informacionit të dhënë nga IEVP “Jordan Misja”, për periudhën tetor 2024 – 14 tetor 2025, Z. Ilir Metaj ka realizuar: 118 takime me përfaqësuesin ligjor; 3 takime me noter; 49 takime me familjarët; 2 takime me persona jashtë rrethit familjar, në total 172 takime, ose 14 takime në muaj”.
Problemet e Ilir Metës nisën mbrëmjen e 9 qershorit të këtij vitit, ku, sipas raportit, ai ka shfrytëzuar kontrollin mjekësor në infermieri për të kryer një telefonatë me Tedi Blushin dhe përmes tij ka folur drejtpërdrejt me një studio televizive.
Për këto, Meta u ndëshkua duke mos i lejuar më takimet me z. Blushi dhe duke e përjashtuar nga aktivitetet sportive. Këto masa vijojnë të jenë në fuqi, pasi burgjet dyshojnë se Meta ka tendencë për të përsëritur përdorimin e telefonatës me Blushin, për të komunikuar me median.
Pas marrjes së ankesës institucioni i Avokatit të Popullit ka kryer hetim administrativ duke bërë disa konstatime kritikuese ndaj administratës së burgjeve.
“Kufizimi i takimeve të të burgosurve në vetëm 4 takime në muaj, pa marrë parasysh rrethanat individuale të të burgosurve (p.sh. distanca e familjes, nevoja sociale, statusi shoqëror dhe publik, probleme shëndetësore, apo mungesa e kontakteve të tjera), përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të drejtës për t’u organizuar. Ndalimi i vizitave konfidenciale të të paraburgosurve me Deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Eurodeputetë, duke kërkuar miratimin paraprak të prokurorit, vjen në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Kufizimi i telefonatave nuk është kryer sipas kritereve të parashikuara në ligj. Janë vendosur pengesa të pambështetura në ligj për komunikimin e të burgosurve me median”,-thuhet në raport.
Avokati i Popullit, në raportin drejtuar Drejtorisë së Burgjeve, rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për të lehtësuar gjendjen e të paraburgosurit Ilir Meta, i cili u arrestua tetorin e vitit 2024, i dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Rekomandimet:
1.Të rishqyqrtohet menjëherë masa e kufizimit të komunikimeve telefonike dhe takimeve ndaj Z. Ilir Metaj.
2. Shuarjen e menjëhershëm të “masës së përkohshme” për ndalimin e komunikimit të Z. Ilir Metaj me Z. Tedi Blushi.
4. Të garantohet e drejta që të burgosurit të kryejnë më shumë se 4 (katër) vizita në muaj, kur kjo varet nga kapacitetet e IEVP, veçanërisht në rastet kur të burgosurit kanë nevojë të veçantë familjare, publike ose sociale.
5. Zbatimin me korrektësi të Ligjit nr. 81/2020, për të siguruar që deputetët të kryejnë vizita në IEVP dhe takime konfidenciale me të paraburgosurin, pa miratimin e prokurorit.
6. Të sigurohet që bisedat telefonike të të burgosurve të kufizohen vetëm me vendim të prokurorit ose gjykatës.
7. Marrjen e masave për të mos vendosur pengesa jo ligjore për komunikimin e të burgosurve me telefon me median, ku nuk kërkohet miratimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve dhe i prokurorit.



