Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njoftoi se sot, në Konferencën e shtatë ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë u hapën bisedimet për pesë kapitujt e mbetur të grupit “Bujqësia, Kohezioni dhe Burimet”.
Më ketë akt, sipas MEPJ-së Shqipëria ka realizuar me sukses, sikurse ishte angazhuar, hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, duke shënuar një arritje historike për shtetin dhe qytetarët shqiptarë.
MEPJ theksoi se “ky moment dëshmon se reformat e ndërmarra gjatë viteve të fundit kanë dhënë rezultate konkrete, të vlerësuara dhe të njohura nga partnerët tanë evropiane”.
“Hapja e kapitujve reflekton: përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë ndaj reformave të thella dhe transformuese; angazhimin e institucioneve shqiptare për përmbushjen e standardeve evropiane; bashkëpunimin e shkëlqyer me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare; mbështetjen e gjerë të qytetarëve shqiptarë për rrugën evropiane”, nënvizoi MEPJ.
Sipas MEPJ-së “Shqipëria do të hyjë së shpejti në një fazë të re, po aq sfiduese sa edhe vendimtare: mbylljen e kapitujve dhe përfundimin e negociatave, përmes forcimit të mëtejshëm të sundimit të ligjit, rritjes së transparencës, konsolidimit të institucioneve, avancimit të reformave ekonomike dhe vijimit të përafrimit të plotë me acquis communautaire”.
“Republika e Shqipërisë mbetet e vendosur të ecë përpara me seriozitet, përgjegjshmëri dhe vendosmëri, duke e konsideruar integrimin evropian jo vetëm objektiv strategjik, por si projekt kombëtar dhe si angazhim të palëkundur ndaj vlerave dhe parimeve evropiane”, njoftoi MEPJ.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian, shteteve anëtare dhe të gjithë partnerëve që kanë mbështetur këtë proces, si dhe thekson gatishmërinë e plotë të Shqipërisë për të vijuar me ritmin e reformave drejt mbylljes së negociatave brenda vitit 2027 dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

