Nga Etleva Rrapa
Për herë të parë, Shqipëria u prezantua në Panairin 140-vjeçar të Casalguidit në Toskanë. Një stendë përfaqësuese nga Belshi prezantoi në këtë panair produkte tradicionale, kulturë dhe mikpritje shqiptare në zemër të Italisë. Në qytetin e vogël, por historik të Casalguidit, në zemër të Toskanës, këtë mesjavë u mbyll me sukses edicioni i 140-të i njërit prej panaireve më të vjetra dhe më të rëndësishëm të Italisë dhe Evropës.
Këtë vit, për herë të parë në histori, pjesë e këtij panairi u bë edhe Shqipëria, përmes një përfaqësimi zyrtar të Bashkisë së Belshit. Panairi i Casalguidit, me një traditë që i përket dy shekujve, është një ngjarje që i kushtohet zhvillimit rural, bujqësisë, teknologjisë, artizanatit, kulturës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar me qytetet binjake të Italisë.

Pjesëmarrja shqiptare erdhi falë bashkëpunimit të ngushtë mes presidentit të panairit, z. Stefano Paolo Ciampi, dhe znj. Etleva Rrapa, shqiptare rezidente në Pistoia, e cila paraqiti projektin për përfshirjen e Shqipërisë si një vend me potencial të jashtëzakonshëm kulturor dhe prodhues.
Pas tre muajsh përgatitje dhe me mbështetjen e z. Paolo Bresci, z. Luca Ciampi dhe kryetarit të Bashkisë Belsh, z. Arif Tafani, nga data 10 deri më 16 shtator u bë realitet pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë ngjarje të rëndësishme.

Stenda e Belshit, një dritare e hapur drejt Shqipërisë
Stenda shqiptare u pozicionua në qendër të qytetit dhe tërhoqi menjëherë vëmendjen me ngjyrat e flamujve shqiptarë e italianë, kostumet popullore, muzikën dhe mikpritjen. Produktet autentike shqiptare të zonës së Belshit, të sjella në panair nga “Agroturizëm Paja”, si vaji i ullirit, shafrani, reçelrat, djathi, mjalti, rakia, verërat dhe ullinjtë, u mirëpritën nga mbi 90% e vizitorëve italianë dhe nga turistë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës Latine.

Qytetarët italianë, veçanërisht të rinjtë, shprehën admirimin për Shqipërinë, për përvojat e tyre turistike në vendin tonë dhe interesin për të zbuluar më shumë mbi potencialet natyrore e kulturore që ofron Belshi, një bashki me 84 liqene karstike dhe zhvillim të qëndrueshëm në infrastrukturë, turizëm dhe bujqësi.

Letërsia, arti dhe politika shqiptare në fokus
Në stendë u prezantuan edhe dy libra simbolikë: “Il Mistero di Tamigi”, i shkruar në italisht nga 14-vjeçari shqiptar Kevin Kometa që jeton në Firenze, dhe “Lulekuqet e Globit”, një vepër në shqip që plotësoi dimensionin kulturor të përfaqësimit.

Ndërkohë, një nga temat që ngjalli më shumë interes në media dhe opinionin italian ishte emërimi i “Diellës”, ministres shqiptare për Inteligjencën Artificiale, që u komentua si një “lëvizje strategjike shah-mat për botën”.

Një javë festë dhe miqësi shqiptaro-italiane
Panairi i Casalguidit ofroi një atmosferë festive në 360 gradë, me aktivitete të ndryshme si koncerte, luna park, lotari dhe lojëra për fëmijë. Në mbyllje, koncerti madhështor i artistit të njohur Cristiano Malgioglio i dha fund me emocione një jave të paharrueshme, ku Shqipëria jo vetëm ishte e pranishme, por la gjurmë të thella.
Pas këtij suksesi, është në plan krijimi i një komisioni italian që do të vizitojë Belshin gjatë festës së verës në muajin mars, duke forcuar më tej lidhjet e krijuara.

Faleminderime dhe përshëndetje të sinqerta
Ky sukses nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e Komunës së Casalguidit, kryetarit Piero Lunardi, presidentit të panairit Stefano Paolo Ciampi, forcave të rendit të koordinuara nga komandanti Nicolai, vullnetarëve të Kryqit të Kuq dhe “Misericordia di Casalguidi”, si dhe të gjithë qytetarëve e vizitorëve që e bënë këtë javë të paharrueshme.

Faleminderit Italia ime! Faleminderit Shqipëria ime!



