Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan u shndërrua sot në një pikë takimi simbolike mes dijes, ekselencës dhe shpresës për të ardhmen, gjatë një aktiviteti të veçantë kushtuar zj. Fioralba Cakoni, një nga emrat më të shquar të matematikës shqiptare në arenën ndërkombëtare, e cila jeton dhe punon prej vitesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në prani të autoriteteve më të larta drejtuese të universitetit, pedagogëve, studentëve dhe kolegëve të saj nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, aktiviteti u kthye në një homazh për rrugëtimin shkencor të një gruaje që ka thyer barriera dhe ka lënë gjurmë të thella në një fushë historikisht të dominuar nga burrat.
Një nga momentet më domethënëse dhe emocionuese të këtij aktiviteti ishte prezantimi para elitës së matematicienëve shqiptarë i nxënësit Loris Qose, fitues i Olimpiadës Botërore të Shkencave të Natyrës, i cili vetëm pak javë më parë u rendit i pari në botë në Matematikë. Ky moment u perceptua si një urë lidhëse mes brezave ku u bënë bashkë shkencëtarja e afirmuar ndërkombëtarisht dhe talenti i ri shqiptar që sapo ka nisur rrugëtimin e tij drejt majave të dijes.

Aktualisht, ajo punon si matematikane dhe eksperte e Teorisë së Shpërndarjes së Anasjelltë, si dhe është pedagoge në Universitetin Rutgers në New Jersey, ku krahas mësimdhënies, mbetet një zë aktiv në promovimin e Shqipërisë dhe potencialit shqiptar në botën akademike.
Në të njëjtën sallë ku u nderua një ikonë e dijes, u duartrokit edhe një emër që përfaqëson të ardhmen. Loris Qose, nxënës i klasës së IX-të në shkollën “7 Marsi” në Cërrik, ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në Olimpiadën Botërore “Neo Science”, të zhvilluar në Orlando, SHBA, në periudhën 9–16 janar 2026.Loris Qose këtë fillim viti u shpall:
• Fitues i vendit të parë në Matematikë, i vlerësuar me Medalje Ari
• Fitues i vendit të tretë në Kimi, i vlerësuar me Medalje Bronzi.

Ky sukses është fryt i talentit, punës së palodhur, përkushtimit të vazhdueshëm dhe mbështetjes profesionale të mësuesve, duke dëshmuar qartë potencialin e jashtëzakonshëm të nxënësve shqiptarë në konkurset më prestigjioze ndërkombëtare të dijes.

Sot, arritja e Loris Qoses është burim krenarie për familjen, shkollën “7 Marsi”, ZVAP Cërrik, qytetin e Cërrikut dhe për gjithë Shqipërinë. Në të njëjtën kohë, ajo shërben si një shembull frymëzues për brezat e rinj, duke treguar se rruga drejt suksesit botëror nis nga pasioni për dijen dhe besimi tek vetja.
Në Universitetin “Aleksandër Xhuvani ” në Elbasan, sot për matematikën nuk u flol thjesht për shkencën por edhe për shkencëtarët.Ishte një ditë që do mbetet në histori edhe si frymëzim por dhe si premtim për të ardhmen që kjo trevë dhe ky vënd ka patur dhe do të ketë edhe shkencëtarë .

