Marrëdhënia mësues–prind , formon karakterin dhe përcakton të ardhmen e nxënësit

 

Nga Adelina Pali

Arsimi është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e çdo shoqërie. Ai nuk është thjesht një proces i përvetësimit të njohurive, por një rrugëtim i gjatë formimi, ku çdo hap ka rëndësinë e vet. Në këtë rrugëtim, një rol vendimtar luan marrëdhënia mes mësuesit dhe prindit , një lidhje e brishtë, por njëkohësisht thelbësore për zhvillimin e fëmijës.

Të jesh njëkohësisht prind dhe të kesh qenë në pozicionin e mësuesit do të thotë të kuptosh nga afër se kjo marrëdhënie është shumë më tepër sesa një komunikim i zakonshëm. Ajo është një urë që lidh familjen me shkollën, një bashkëpunim që ndikon drejtpërdrejt në formimin e karakterit dhe të ardhmes së një fëmije. Në këtë udhë të bukur, por shpesh sfiduese, dy duar e mbajnë fort drejtimin: dora e mësuesit dhe ajo e prindit. Kur këto duar bashkohen, fëmija ecën i sigurt; kur ndahen, ai mbetet mes dy botëve, i pasigurt dhe i hutuar.

Mësuesi është udhërrëfyesi i dijes  , ai që përcjell jo vetëm njohuri, por edhe vlera, disiplinë dhe kulturë. Nga ana tjetër, prindi është edukatori i parë, ai që vendos themelet e sjelljes dhe të karakterit. Kur këta dy faktorë veprojnë në harmoni, krijohet një mjedis i shëndetshëm dhe frytdhënës për rritjen e fëmijës. Megjithatë, realiteti i sotëm tregon se kjo marrëdhënie shpesh përballet me sfida dhe keqkuptime.

Një nga problemet më të shpeshta është vështirësia e disa prindërve për të pranuar mangësitë apo sjelljet e fëmijëve të tyre. Nuk është e lehtë të pranosh se fëmija mund të mos jetë i përgatitur për mësim, të ketë vështirësi në sjellje apo, në raste të caktuara, të shfaqë edhe fenomene negative si bullizmi. Në vend që të kërkohet zgjidhje e përbashkët, shpesh lind një konflikt i panevojshëm me mësuesin  , një konflikt që në fund dëmton vetëm fëmijën.

Por sfidat nuk janë vetëm nga njëra anë. Edhe mësuesi përballet me realitete të vështira. Rënia e interesit të nxënësve për të mësuar, ndikimi i teknologjisë dhe ndryshimet sociale e bëjnë gjithnjë e më të vështirë ruajtjen e vëmendjes dhe motivimit në klasë. Mësuesi duhet të gjejë mënyra të reja për të frymëzuar, për të edukuar dhe për të ruajtur autoritetin, duke e bërë këtë profesion një nga më sfiduesit dhe, fatkeqësisht, shpesh të nënvlerësuarit në shoqëri.

Zgjidhja qëndron te komunikimi  i hapur, i ndershëm dhe i vazhdueshëm. Prindërit duhet të jenë të gatshëm të dëgjojnë dhe të bashkëpunojnë, duke e parë mësuesin si një aleat në edukimin e fëmijës, jo si një kundërshtar. Në të njëjtën kohë, mësuesit duhet të tregojnë profesionalizëm, durim dhe mirëkuptim, duke ndërtuar ura besimi me prindërit.

Në fund të ditës, marrëdhënia mes mësuesit dhe prindit nuk është thjesht një detyrim , është një mision i përbashkët. Vetëm përmes respektit, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mund të ndërtojmë një sistem arsimor më të fortë dhe një brez të ri më të përgatitur për sfidat e jetës. Sepse qëllimi është një dhe i vetëm: Eardhmja e fëmijëve tanë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Skandali me fondet bujqësore, prokuroria europiane kërkon heqjen e imunitetit për 11 deputetë të Parlamentit grek

Prokuroria Evropiane ka dërguar në Parlamentin grek një dosje...

Medalje, rekorde dhe krenari: Elbasani shpallet nënkampion i vendit në peshëngritje

Klubi Shumësportësh Elbasani ka konfirmuar edhe një herë traditën...

Shqipëria 17 vjet në NATO, Begaj: Faktor stabiliteti dhe sigurie në Aleancë

TIRANË, 1 prill /Albania Express News/ Presidenti i Republikës,...