Presidenti francez Emmanuel Macron ka ngritur alarmin se Franca dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian ndodhen brenda rrezes operative të raketave balistike ruse, duke nënvizuar se Rusia po rrit prodhimin e armëve të rënda për përdorim në Ukrainë dhe potencialisht për të ushtruar presion ndaj Evropës.
Sipas Macron, Moska po prodhon nëndetëse, raketa dhe tanke të reja, të cilat mund të shfrytëzohen jo vetëm në frontin ukrainas, por edhe për të intimiduar BE-në nëse ky i fundit shfaq dobësi. “Ne jemi brenda rrezes së veprimit të këtyre sistemeve. Raketat balistike ndërkontinentale – të gjithë ne jemi të kërcënuar prej tyre,” deklaroi presidenti francez.
Kremlini ka reaguar duke hedhur poshtë shqetësimet e Macron. Presidenti rus Vladimir Putin i ka cilësuar të pabaza deklaratat e politikanëve evropianë për një kërcënim apo luftë të mundshme nga Rusia kundër Evropës. Edhe ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në fjalën e tij gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, theksoi se Rusia “nuk ka patur kurrë dhe as nuk ka aktualisht ndonjë qëllim për të sulmuar NATO-n ose Bashkimin Evropian”.

