Lushnja dhe Pistoia firmosin paktin e miqësisë: një hap drejt bashkëpunimit kulturor dhe ekonomik

Nga Etleva Rrapa

Më 22 nëntor, në komunën e Pistoia-s u zhvillua takimi zyrtar mes kryebashkiakut Alessandro Tommasi dhe kryetares së Bashkisë së Lushnjes, znj. Eriselda Sefa. Takimi kulmoi me nënshkrimin e paktit të miqësisë midis dy qyteteve, një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit institucional, kulturor dhe ekonomik.

Ky zhvillim nuk lindi sot. Pas më shumë se dy vitesh përgatitjesh, iniciativash dhe shkëmbimesh, procesi arriti finalizimin e tij zyrtar.

Nga kërkesa fillestare te nënshkrimi historik

Më 18 tetor 2023, znj. Etleva Rrapa dorëzoi pranë komunës së Pistoia-s një kërkesë zyrtare për krijimin e një “ure miqësie” mes qytetit të saj dhe Lushnjes. Letra iu dorëzua kryebashkiakes Sefa nga vetë znj. Rrapa dhe znj. Monica Micheli Panozzo – një veprim që hapi rrugën për procesin e sotëm të bashkëpunimit.

Si shenjë vlerësimi, dy vjet më parë kryetarja Sefa mori letrën zyrtare të bashkëpunimit nga Tommasi, ndërsa në korrik 2024 u ftua si e ftuar nderi në një prej eventeve më historike të rajonit, “Giostra del Orso”, një ngjarje me mbi 600 vjet traditë.

Gjatë asaj vizite, dy homologët ngritën bazat e një plani njohjeje reciproke midis dy qyteteve ,një proces që vazhdoi me vizitën e datës 21 janar 2024, ku në Lushnje mbërritën dy assessorët pistojezë, Alessandro Sabella dhe Benedetta Menicheli, me rastin e festimit të Kongresit të Lushnjes.

Pistoia njeh potencialin e Myzeqesë

Dy assessorët italianë u njohën nga afër me potencialin bujqësor, turistik dhe mundësitë e investimit italian në zemrën e Myzeqesë. Bisedimet administrative forcuan bindjen se bashkëpunimi midis dy qyteteve mund të jetë i frytshëm, veçanërisht në sektorë kyç të zhvillimit lokal.

Delegacioni shqiptar i mirëpritur zyrtarisht në Pistoia

Në vijim të këtyre hapave, delegacioni shqiptar i përbërë nga përfaqësues të pozitës dhe opozitës u prit zyrtarisht në Bashkinë e Pistoia-s më 22 nëntor. Mesazhi i përbashkët ishte i qartë: paktet e miqësisë i përkasin qytetarëve dhe të ardhmes së tyre, jo vetëm politikës.

Vizita përkoi edhe me nisjen e festimeve të Krishtlindjeve në qytet, ku delegacioni shqiptar mori pjesë si i ftuar special.

Mirënjohje për rolin e Pistoia-s dhe komunitetit shqiptar

Një falënderim i veçantë iu drejtua zotit Paolo Bresci, ish-drejtues i Zyrës së Turizmit në Pistoia, i cili besoi në këtë projekt dhe punoi me përkushtim për ta konkretizuar.

Gjatë takimit të rëndësishëm ishin gjithashtu të pranishëm:
Shefi i kabinetit, z. Giorgio Zuccherini,
Përfaqësuesit e TVL Pistoia,
Media lokale italiane.

Kryebashkiaku Tommasi vuri theks të veçantë tek komuniteti shqiptar në Pistoia, i cili numëron mbi 13,000 banorë dhe përbën një pjesë thelbësore të jetës së qytetit.

Deklarata e kryebashkiakes Sefa: “Një sinjal i qartë europian”

Nga ana e saj, kryetarja e Bashkisë së Lushnjes, znj. Eriselda Sefa, e cilësoi nënshkrimin e paktit si një akt të rëndësishëm jo vetëm për bashkinë që drejton, por për gjithë komunitetin lushnjar.

Kjo firmë është një mesazh i qartë bashkëpunimi ndërinstitucional dhe një hap drejt integrimit europian. Tregon se politika, kur bashkohet për të mirën e qytetit, mund të arrijë rezultate konkrete”, u shpreh ajo.

Një kapitull i ri për të dy qytetet

Me nënshkrimin e paktit të miqësisë, Pistoia dhe Lushnja hapin një kapitull të ri bashkëpunimi, duke synuar projekte të përbashkëta në fushat e kulturës, turizmit, ekonomisë dhe shkëmbimeve mes qytetarëve.

Ky hap përbën një shembull të qartë se diplomacia lokale mund të ndërtojë ura të forta miqësie ,ura që i rezistojnë kohës dhe sjellin zhvillim të ndërsjellë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kushte atmosferike të qëndrueshme, parashikimi i motit për këtë të hënë

Ditën e Hënë vendi ynë do të ndikohet nga...

Horoskopi për ditën e sotme, 6 prill 2026

Dashi Çfarë dite për të qenë në kulmin e lojës...