Tiranë – Një nga botimet më domethënëse për kujtesën historike, traditën ushtarake dhe trashëgiminë morale të Shqipërisë do të promovohet ditën e shtunë, më 28 mars 2026, në orën 10:00, në Auditoriumin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në Garnizonin “Skënderbej”. Bëhet fjalë për kolanën “Skënderbegasit ndër vite…”, një vepër me vlerë të veçantë publicistike dhe historike, e autorëve K. Boriçi dhe M. Fejzulla, që sjell për lexuesin jo vetëm episode kujtese, por edhe një tablo të gjerë të formimit, sakrificës, shërbimit dhe rolit që brezat e skënderbegasve kanë luajtur në historinë e Forcave të Armatosura dhe të shtetit shqiptar.
Ky botim vjen si një dokument i rrallë, ku bashkohen historia, përvoja njerëzore, emocionet, kujtesa institucionale dhe reflektimi mbi një nga shkollat më të rëndësishme të formimit ushtarak në vend. Në vlerësimin e tij për librin, Gjeneral Bardhyl Nuredinaj, Komandant i Akademisë së Mbrojtjes “Skënderbej”, e cilëson këtë kolanë si një përmbledhje jetësore dhe historike të edukimit, formimit, shërbimit dhe sakrificës së mijëra të rinjve që e lidhën jetën e tyre me uniformën ushtarake dhe me detyrën ndaj atdheut.
Sipas tij, autorët, vetë ish-nxënës të shkollës “Skënderbej” dhe më pas ushtarakë të nderuar në radhët e Forcave të Armatosura, kanë ditur të sjellin para lexuesit çaste jete, personazhe, ngjarje dhe kujtime të veçanta të bashkëkohësve të tyre, duke ndërtuar një mozaik të gjallë të një plejade që la gjurmë të forta në jetën ushtarake dhe qytetare të vendit. Me një stil të thjeshtë narrativ, por të mbushur me sinqeritet dhe realizëm, kolana rikthen përpara syve të lexuesit vitet e rinisë së hershme të djemve që u rritën nën uniformën e gjelbër dhe që shumë shpejt do të bëheshin burra të përgjegjshëm për shërbimin ndaj vendit.
Të shkruash për shkollën “Skënderbej”, siç nënvizon Gjeneral Nuredinaj, është nder dhe privilegj, për vetë natyrën dhe historinë e kësaj shkolle elitare, atributet e së cilës tejkalojnë kufijtë e një institucioni të thjeshtë arsimor ushtarak. Shkolla “Skënderbej” është e ndërthurur natyrshëm me vetë historinë e Forcave të Armatosura dhe të shtetit shqiptar, pasi breza të tërë skënderbegasish u formuan aty me ndjenjën e disiplinës, të përgjegjësisë, të ndershmërisë dhe të respektit për institucionin.
Libri sjell në qendër të vëmendjes faktin se skënderbegasit u rritën larg familjeve, por brenda një familjeje të madhe shpirtërore dhe institucionale, asaj të shkollës “Skënderbej”. Ata ishin shumë të rinj në moshë, me ëndrra fëminore dhe me hapa të parë drejt jetës, por shumë shpejt u kalitën në një shkollë ku disiplina, sakrifica dhe ndjenja e detyrës ishin pjesë e përditshmërisë. Pikërisht në atë vatër u farkëtuan karaktere të forta, u ndërtua ndjenja e vëllazërisë dhe u rrënjos bindja se shërbimi ndaj mëmëdheut është mision që kërkon përkushtim të plotë dhe gatishmëri për sakrificë.
Në faqet e kësaj kolane, historia e shkollës “Skënderbej” paraqitet si pjesë e pandarë e historisë së ngritjes, konsolidimit dhe zhvillimit të ushtrisë shqiptare, por edhe e evolucionit të shtetit shqiptar në tërësi. Breza të tërë skënderbegasish kanë shërbyer jo vetëm në strukturat e Forcave të Armatosura, por edhe në administratën publike, diplomaci, arsim, siguri dhe në procese të rëndësishme të shtetndërtimit. Kudo ku kanë shërbyer, ata kanë mbartur me vete frymën e shkollës: korrektësinë, përgjegjësinë, ndershmërinë dhe respektin për institucionin.
Vepra ndalet edhe te sprovat dhe sakrificat që kanë shoqëruar formimin e skënderbegasve, sidomos në dekadat e para. Kushtet materiale shpeshherë kanë qenë të vështira, kërkesat e disiplinës tepër të forta dhe barra morale e rëndë për supet e djemve që e nisnin këtë rrugëtim në moshën 14-vjeçare. Jeta në shkollën e mesme ushtarake nuk ishte e lehtë, por pikërisht aty u farkëtuan karaktere të pathyeshme dhe u ndërtua bindja se shërbimi ndaj atdheut ishte jo vetëm profesion, por mision jetësor. Këto vlera u trashëguan brez pas brezi dhe mbeten edhe sot një pasuri morale e pazëvendësueshme.
Një vend të rëndësishëm në këtë kolanë zë edhe kujtesa për momentet e dhimbshme që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e ushtarakëve shqiptarë. Ndër to përmendet edhe Tragjedia e Fekenit, e ndodhur 45 vite më parë, ku humbën jetën tre oficerë dhe tetë studentë. Kjo ngjarje mbetet një simbol i sakrificës ekstreme në shërbim të detyrës dhe një pjesë e pandarë e historisë së skënderbegasve dhe oficerëve shqiptarë. Kujtimi i tyre, siç theksohet në këtë vepër, është jo vetëm një akt nderimi, por edhe një mësim i përhershëm për përgjegjësinë, rrezikun dhe sublimen që mbart profesioni i ushtarakut.
Në rrugëtimin e gjatë të ekzistencës së saj, shkolla “Skënderbej” iu nënshtrua edhe transformimeve të mëdha që sollën kohët dhe ndryshimet shoqërore. Forcat e Armatosura, ashtu si institucionet e tjera të shtetit, u përballën me nevojën për reformim, ndryshim dhe përshtatje me realitete të reja. Në këto procese, skënderbegasit kanë luajtur një rol me peshë, duke kontribuar me përvojën, dijen dhe ndjenjën e përgjegjësisë për ruajtjen e stabilitetit dhe ndërtimin e institucioneve funksionale. Pikërisht kjo e bën kontributin e tyre shumë më të gjerë se kufijtë e një shërbimi thjesht ushtarak.
Libri vjen edhe në një kohë kur sfidat e sigurisë kanë ndryshuar, por mbeten po aq komplekse. Zhvillimet teknologjike, standardet e reja profesionale dhe proceset e integrimit euroatlantik kërkojnë një ushtri moderne, të përgatitur dhe fleksibël. Në këtë kontekst, Akademia e Forcave të Armatosura ka një rol kyç në përgatitjen e oficerëve të rinj që do të përballojnë sfidat e shekullit XXI. Modernizimi i programeve, rritja e cilësisë akademike dhe bashkëpunimet ndërkombëtare janë pjesë e këtij misioni, por pa humbur asnjëherë lidhjen me traditën dhe identitetin historik të institucionit.
Mesazhi qendror që përcjell kjo kolanë është se modernizimi nuk do të thotë shkëputje nga e shkuara. Përkundrazi, ai duhet të mbështetet mbi kujtesën, mbi vlerat e trashëguara dhe mbi modelet që kanë lënë pas brezat e mëparshëm. Skënderbegasit e djeshëm mbeten modeli mbi të cilin ndërtohet formimi i ushtarakëve të sotëm dhe të së nesërmes. Ruajtja e kësaj kujtese, dokumentimi i saj dhe përcjellja te brezat e rinj është një detyrë institucionale dhe morale. Pikërisht këtij qëllimi i shërben libri i autorëve Boriçi dhe Fejzulla, duke sjellë një pasqyrë të gjerë historike, publicistike dhe reflektuese mbi rrugëtimin e skënderbegasve ndër vite.
Për vetë Gjeneral Bardhyl Nuredinaj, kjo vepër ka edhe një domethënie të veçantë personale. Ai shprehet se, ashtu si qindra bashkëmoshatarë të brezit të tij, edhe ai është formuar në këtë shkollë dhe ka qenë pjesë e një brezi që u edukua me vlerat më të larta morale, të disiplinës, sakrificës dhe shërbimit ndaj atdheut. Për këtë arsye, çdo faqe e librit i rikthen kujtime dhe përvoja që kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e tij profesional dhe njerëzor. Në këtë kuptim, botimi është edhe një shprehje mirënjohjeje ndaj institucionit që e ka formuar, ndaj pedagogëve, drejtuesve, shokëve të armës dhe ndaj të gjithë atyre që kanë kontribuar ndër vite për ta mbajtur gjallë këtë shkollë.
Si Komandant i Akademisë së Forcave të Armatosura, ai e sheh këtë detyrë si një mision të dyfishtë: nga njëra anë garantimin e një formimi bashkëkohor dhe cilësor për oficerët e rinj, dhe nga ana tjetër ruajtjen dhe forcimin e trashëgimisë morale e historike të brezave që kanë shërbyer me nder dhe dinjitet në radhët e Forcave të Armatosura. Synimi, sipas tij, është që Akademia të jetë një urë e fortë mes vlerave të trashëguara dhe objektivave të së ardhmes, duke përgatitur ushtarakë që jo vetëm të zotërojnë dije profesionale, por edhe të mbartin vlerat njerëzore dhe morale që kjo shkollë ka kultivuar me mjeshtëri ndër vite.
Por kolana “Skënderbegasit ndër vite…” nuk mbetet vetëm në planin institucional apo historik. Një nga elementët më tërheqës dhe më të fuqishëm të saj janë historitë e veçanta njerëzore që sjell në faqet e veta. Një ndër to është rrëfimi për Francesko Fiore, një personazh i pazakontë dhe një figurë që i jep këtij botimi një dimension të rrallë emocional dhe historik.
Francesko Fiore është një italian që u bë pjesë e shkollës “Skënderbej” në Shqipëri, sportist, oficer dhe inxhinier i talentuar. Një rast i veçantë, pothuajse i rrallë, që mbart në vetvete tragjedinë, misterin, identitetin dhe forcën e karakterit. Ai ka qenë nxënës i Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1960-1964, më pas student për inxhinieri mekanike në Universitetin Shtetëror të Tiranës dhe më vonë një kuadër e intelektual i njohur që ka dhënë kontribute të vyera në Shqipëri për dekada me radhë.
Historia e tij nis me babanë, Generoso Fiore, i cili erdhi në Shqipëri me valën pushtuese italiane të vitit 1939. Për shkak të moshës, ai mbeti jashtë uniformës së rregullt, ndoshta për një mision tjetër, dhe u integrua në Shqipëri gjatë viteve të luftës, i angazhuar në fusha si bujqësia dhe ndërtimtaria. Gjatë kësaj kohe ai u njoh me Dallëndyshen, nënën e Franceskos, një infermiere shqiptare nga Vlora. Ata u fejuan dhe u martuan, duke ndërtuar jetën e tyre familjare në Tiranë, pranë zonës së “Rrugës së Kavajës”.
Por jeta e kësaj familjeje do të merrte kthesë dramatike. Pak para lindjes së Franceskos, në janar të vitit 1946, Generoso Fiore u largua drejt Italisë me premtimin se do të kthente shpejt, pasi duhej të rregullonte disa çështje që lidhnin fatin e tij atje. Ai nuk u kthye më. Francesko lindi, u rrit pa të atin biologjik dhe nëna e tij, mes dhimbjes dhe pritjes së gjatë, nuk la zyrë pa trokitur dhe letër pa dërguar për të mësuar diçka për fatin e bashkëshortit. Më pas, në rrethana të vështira, ajo do të martohej me një tjetër italian, mik të bashkëshortit të saj të parë.
Francesko u rrit me sakrifica, por edhe me përkujdesjen e nënës dhe njerkut. Me kalimin e viteve, ai do të shfaqte talent, karakter dhe vullnet, duke ndjekur rrugën e formimit në shkollën “Skënderbej”, më pas në Shkollën e Bashkuar dhe më tej në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Si inxhinier dhe studiues, ai punoi e drejtoi në uzina e fabrika të rëndësishme të industrisë shqiptare, duke u bërë një specialist dhe intelektual i respektuar, por edhe një sportist e njeri i dashur për të gjithë ata që e njohën.
Për dekada me radhë, Francesko nuk kishte asnjë lajm për babanë e tij biologjik. Por jeta do t’i rezervonte një kthesë të papritur dhe tronditëse. Më 29 nëntor 1984, një mik i tha se në hotel “Dajti” e priste një person që njihte babanë e tij. Kur mbërriti aty, ai kuptoi se “i panjohuri” nuk ishte askush tjetër veçse babai i tij biologjik, Generoso Fiore. Ishte takimi i parë dhe i fundit mes babait dhe të birit, një përballje e mbushur me emocion, revoltë, pyetje të pambyllura, mall dhe ndjenja të përziera.
Në kolanën e autorëve Boriçi dhe Fejzulla, ky episod vjen si një nga pasazhet më të fuqishme dhe më prekëse. Aty ndërthuren historia personale me atë kolektive, drama e braktisjes me thirrjen e gjakut, misteri i jetës së babait me mundimet dhe formimin e djalit në Shqipëri. Vetë jeta e Francesko Fiores bëhet kështu një metaforë e fatit, e qëndrueshmërisë dhe e identitetit që nuk shuhet, edhe kur historia dhe politika i ndajnë njerëzit për dekada.
Edhe pas viteve ’90, kur ai kaloi Adriatikun dhe shkoi në Itali për të kërkuar familjarët, shtëpinë dhe rrënjët e tij, Francesko nuk u shkëput kurrë shpirtërisht nga Shqipëria. Për shokët e brezit të tij ai mbetet ai Francesko i dashur, me humor, me horizont të gjerë dhe me mall të pashuar për shokët e shkollës “Skënderbej”. Madje, sipas dëshmive, ai është ndër ata që mban gjallë frymën e takimeve të ish-skënderbegasve, duke qenë gjithmonë pjesë e organizimeve tradicionale që bëhen në Tiranë. Dy muaj më parë, ai ishte nisur enkas nga Italia për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore në Bulqizë, kushtuar aktivitetit gjatë luftës të batalionit “Antonio Gramshi”, ku kishte luftuar edhe halla e tij.
Autorët tregojnë se historia e tij u gjurmua me ndihmën e miqve dhe bashkëkohësve, mes tyre Thoma Konduri dhe Skënder Alikaj, duke bërë të mundur kontaktin dhe rrëfimin e këtij fati të veçantë në vëllimin e pestë të kolanës. Ky rrëfim i jep librit jo vetëm vlerë dokumentare, por edhe një forcë të veçantë narrative dhe emocionale.
Në tërësinë e saj, kolana “Skënderbegasit ndër vite…” vjen si shumë më tepër se një botim kujtimesh. Ajo është një memorial i gjallë për brezat që sakrifikuan rininë në shërbim të atdheut, një dëshmi e rrallë për karakterin formues të shkollës “Skënderbej”, një pasuri dokumentare për historinë ushtarake shqiptare dhe një model frymëzimi për brezat e rinj që do të mbajnë në të ardhmen mbi supe përgjegjësitë e sigurisë dhe të mbrojtjes së vendit.
Promovimi i kësaj kolane më 28 mars në Tiranë pritet të jetë jo vetëm një aktivitet kulturor e publicistik, por edhe një ngjarje e rëndësishme kujtese, nderimi dhe reflektimi për rolin që një institucion si shkolla “Skënderbej” ka luajtur në formimin e elitave ushtarake dhe qytetare të Shqipërisë.
Ky libër, plot jetë, histori njerëzore, sakrificë dhe kujtesë, është dëshmia se trashëgimia e skënderbegasve nuk përfundon me brezat e djeshëm. Ajo vazhdon të shkruhet çdo ditë, në auditorët e Akademisë, në përkushtimin e brezave të rinj dhe në ndërgjegjen e atyre që e shohin shërbimin ndaj atdheut si mision. Dhe pikërisht për këtë arsye, “Skënderbegasit ndër vite…” mbetet një vepër me peshë të veçantë, një homazh për të shkuarën dhe një udhërrëfyes moral për të ardhmen.

