Librazhdasi që po shkëlqen si student dhe futbollist në Amerikë / Intervistë Ekskluzive me Paolo Kampula

Në një periudhë ku diaspora shqiptare po luan rol gjithnjë e më të rëndësishëm në futbollin modern, emri i Paolo Kampulës del në pah si një nga ata lojtarë që nuk duhet shpërfillur. Me një histori që përzien sakrificën familjare, përkushtimin akademik dhe performancën sportive, Kampula është portreti i një brezi të ri futbollistësh që, ndonëse rritur jashtë vendit, mbartin me krenari emrin “Shqiptar”.

Lindur në Librazhd më 17 shkurt 2004, Paolo është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara në moshën 4-vjeçare, pasi familja e tij fitoi lotarinë amerikane në vitin 2008. Sot, në moshën 21-vjeçare, ai është student në vitin e fundit të Temple University në Filadelfia, ku jo vetëm që studion financë në njërën prej shkollave më të mira të biznesit në SHBA (Fox School of Business), por luan gjithashtu në nivelin më të lartë të futbollit universitar, NCAA Division 1, me ekipin Temple Owls.

Me një fizik mbresëlënës për moshën dhe pozicionin që luan (1.83 m i gjatë, 76 kg), Paolo është një mbrojtës i majtë modern, polivalent dhe teknikisht i rafinuar, i cili është formuar në akademitë më elitare të futbollit amerikan, si Philadelphia Union Academy dhe FC Delco. Me përvojë edhe në ligat para-profesionale si USL League Two, ai është tashmë në radarët e klubeve profesioniste, përfshirë edhe Portland Timbers të MLS.

Në këtë intervistë ekskluzive për Albania Express News, Kampula rrëfen rrugëtimin e tij, sfidat e përditshme, ambiciet me Kombëtaren Shqiptare dhe projektin për të kaluar në futbollin profesionist pas përfundimit të sezonit aktual.

Paolo, për lexuesit tanë që po dëgjojnë për ty për herë të parë, kush është Paolo Kampula?

Jam 21 vjeç, i lindur në Librazhd, dhe prej vitit 2008 jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen. Studioj financë dhe luaj si mbrojtës i majtë për Temple University Men’s Soccer, që është pjesë e NCAA Division 1, niveli më i lartë universitar në SHBA. Kam luajtur gjithashtu me ekipe si Philadelphia Union Academy, FC Delco, La Salle University dhe gjatë verës me West Chester United në USL League Two.

Si nisi gjithçka? Si arritët në SHBA dhe si u formua dashuria jote për futbollin?

Në vitin 2008, familja ime fitoi lotarinë amerikane. Ishte një vendim i vështirë; lëmë pas gjithçka në Shqipëri. Jeta nuk ishte e lehtë në fillim, por prindërit e mi punuan pa u lodhur. Babai ishte i dashuruar pas futbollit dhe ai ishte nxitësi kryesor. Që në fëmijëri, futbolli u bë pjesë e identitetit tim.

Fizikisht je mjaft i ndërtuar për një mbrojtës profesionist. Cilat janë statistikat e tua fizike dhe roli në fushë?

Jam 1.83 metra i gjatë dhe 76 kilogramë. Luaj zakonisht si mbrojtës i majtë, por shpesh edhe si qendërmbrojtës, falë leximit të mirë të lojës dhe duelëve ajrorë ku ndihem shumë i fortë. Jam një lojtar që i përqafon duelet, por që njëkohësisht ofron edhe kontribut në ndërtimin e aksioneve nga pas.

Si ka qenë rrugëtimi yt akademik dhe sportiv deri te Temple University?

Fillimisht isha në La Salle University, ku u bëra titullar që në vitin e parë, por një dëmtim më la jashtë për gjysmën e sezonit. U riktheva më i fortë dhe, pas një sezoni të mirë, vendosa të transferohem për të avancuar si akademikisht ashtu edhe sportivisht. Temple më ofroi një program pa kosto në Fox School of Business, si dhe futboll në një konferencë më të fortë si American Athletic Conference.

Le të flasim për performancën tënde këtë sezon. Cilat janë disa nga të dhënat konkrete?

Kam qenë titullar në çdo ndeshje këtë sezon, me mbi 1,000 minuta të luajtura. Shënova një gol ndaj Ohio State, një prej skuadrave më të mira të NCAA. Gjatë muajit tetor, skuadra nuk pësoi asnjë gol, dhe ishte hera e parë pas pesë vitesh që Temple u kualifikua në fazën playoff të konferencës. Ishte një sukses i madh për ne.

Cilat janë “armët e tua të forta” si mbrojtës?

Fiziku im më ndihmon shumë në duele ajrore dhe një kundër një. Jam teknikisht i saktë në pasime diagonale dhe topa të gjatë. Kam edhe një këmbë të majtë të fortë për goditjet standarde. Por mbi të gjitha, mendoj se forca ime është përqendrimi, komunikimi me ekipin dhe lidershipi brenda dhe jashtë fushës.

Në verë ishe pjesë e skuadrës West Chester United dhe testove me Portland Timbers. Si ishte kjo eksperiencë?

Me West Chester United luajtëm në USL 2, një ligë para-profesionale, dhe arritëm deri në playoff-et kombëtare. Me Portland Timbers, një klub i njohur i MLS, kalova disa ditë provë dhe mora vlerësime shumë pozitive. Më thanë se do të më mbajnë nën vëzhgim gjatë këtij sezoni. Ishte një motivim i madh për mua.

Cilat janë idhujt e tu në futboll?

Paolo Maldini, një legjendë që e bëri mbrojtjen art. Theo Hernandez për stilin modern, me depërtime të rrezikshme në krah. Dhe nga shqiptarët, Lorik Cana. Ishte frymëzim për mua jo vetëm si futbollist, por si lider dhe ambasador i vërtetë i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

A e ndjek Kombëtaren Shqiptare dhe a e sheh veten pjesë të saj në të ardhmen?

Sigurisht. Kombëtarja ka bërë hapa gjigantë, me lojtarë si Gjimshiti, Asllani, Broja, Hoxha dhe Daku që po bëjnë diferencën. Do të ishte ëndërr e realizuar për mua të grumbullohesha një ditë. Shpresoj që FSHF të organizojë prova edhe në SHBA, sepse ka shumë shqiptarë me potencial këtu që e duan fanellën kuqezi.

Çfarë sakrificash ke bërë për të qenë në këtë nivel dhe si i balancohet jeta student-atlet?

Ka shumë orë gjumi të humbura, festa të munguara, lodhje mendore dhe fizike. Por unë e kam bërë këtë zgjedhje me vetëdije. Jeta e një student-atleti në NCAA është shumë intensive: oraret e stërvitjes fillojnë herët, ndonjëherë edhe para orës 6 të mëngjesit, pastaj vijnë leksionet, analiza ndeshjesh, dhe stërvitje e dytë në pasdite. Por unë e dua këtë stil jetese, sepse më ndihmon të ndërtoj disiplinë dhe karakter. Përveç kësaj, jam i angazhuar edhe në organizata financiare të universitetit dhe kam kryer një praktikë verore në investment banking, që kërkonte përkushtim të njëjtë si fusha.

Përveç futbollit, çfarë pasionesh ke dhe si të ka ndihmuar shkolla në zhvillimin personal?

Më pëlqen shumë analiza financiare dhe tregjet e aksioneve. Për këtë arsye, studioj financë dhe jam pjesë e Temple Finance Association dhe një grupi kërkimor studentor mbi bursat. Kjo më ka ndihmuar të kuptoj rëndësinë e balancës mes karrierës sportive dhe zhvillimit profesional. Më ka mësuar që jeta nuk është vetëm futboll; është ndërtim karakteri dhe përgatitje për të ardhmen.

A ka qenë ndonjëherë e vështirë të jesh shqiptar jashtë vendit? Dhe si e ndjen identitetin tënd sot?

Sigurisht që ka momente kur ndihesh ndryshe. Kultura është e ndryshme, dhe jo gjithmonë ke njerëz që e kuptojnë historinë tënde. Por kjo më ka forcuar. E ndjej identitetin tim më të fortë se kurrë. Unë jam shqiptar, dhe çdo ndeshje për mua është një mundësi për të përfaqësuar atë pjesë të rrënjëve që nuk i harroj asnjëherë. Shqipëria është në zemrën time dhe unë e përfaqësoj atë çdo ditë, në çdo stërvitje, në çdo ndeshje, në çdo sfidë.

Çfarë do të thotë për ty të veshësh fanellën kuqezi, nëse do të vinte një ftesë nga Kombëtarja?

Do të ishte dita më e bukur e jetës time. Nuk ka ndjesi më të madhe sesa të përfaqësosh kombin tënd. Nuk kërkoj garanci, thjesht një mundësi për të treguar çfarë kam ndërtuar ndër vite. Nuk do të ishte vetëm arritje personale – do të ishte një fitore për familjen time, për komunitetin shqiptar në SHBA dhe për çdo djalë shqiptar që punon në heshtje.

Si e sheh veten pas përfundimit të sezonit universitar? MLS, Europë apo Shqipëri?

Në fund të këtij sezoni, dua të kaloj në futbollin profesionist. Mundësitë janë disa: MLS, ligat evropiane, apo edhe në Shqipëri, pse jo. Jam i hapur, por jam edhe realist. Kam punuar shumë dhe kam eksperiencë në nivele të ndryshme, prandaj besoj se do të bëj diferencën kudo që të shkoj. Kam qenë nën vëzhgim nga klube të MLS dhe shpresoj që shumë shpejt të firmos kontratën time të parë profesionale.

Dhe për fund, nëse sot do të kishe mundësi të flisje drejtpërdrejt me një përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, çfarë do t’i thoshe?

Do t’i thosha: “Mos harroni diasporën. Ne jemi shumë këtu në SHBA, të gatshëm dhe të motivuar për të kontribuar. Unë jam këtu, po luftoj çdo ditë, dhe dua vetëm një mundësi për t’u provuar. Kombëtarja është ëndrra ime, dhe ju premtoj se, nëse më jepet rasti, do të jap çdo gram energjie që kam për atë fanellë.

Paolo Kampula nuk është thjesht një histori suksesi shqiptare në SHBA. Ai është një shembull i disiplinës, përulësisë dhe përkushtimit, i një brezi që nuk harron rrënjët, edhe kur ecën drejt majave. Me një CV që shënon qartë përparim të vazhdueshëm, me një fizik të ndërtuar për futbollin modern dhe me një zemër që rreh kuqezi, ai është lojtari që Kombëtarja Shqiptare duhet ta ketë në radar.

Ekipi editorial i Albania Express News ju falënderon ju, Paolo Kampula, për intervistën dhe ju uron suksese në rrugëtimin tuaj drejt profesionizmit. Shqipëria ka nevojë për djem si ti, të përkushtuar, të ndershëm dhe krenarë për flamurin Kuq e Zi!

Faleminderit prej Albania Express News, kësaj media që ka në qendër të vëmendjes edhe Diasporën shqiptare!

INTERVISTOI: FATMIR POPJA

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Elbasani feston 10 vite muzikë të dhomës: Rekord pjesëmarrjeje këtë vit

Prej një dekade, Elbasani ka qenë nikoqir i përvitshëm...

Prokuroria heton votues të dyshimtë në zgjedhjet lokale të Junikut në Kosovë

Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet pas pretendimeve...

Aksidenti me Marquez kushton shtrenjtë Bezzecchi në Çmimin e Madh të Australisë

Fundjava në Phillip Island, ku zhvillohet Çmimi i Madh...

Elbasani në betejë për tri pikët: Çdo gabim i ndaluar ndaj Vorës

Skuadra e Elbasanit po i jep dorën e fundit...