Më 31 mars, një nga emrat më të respektuar dhe më të dashur të futbollit elbasanas, Luan Deliu, festoi 68-vjetorin e lindjes, duke rikthyer në vëmendje një karrierë të pasur dhe një kontribut të jashtëzakonshëm në sportin shqiptar.
Ish-mbrojtësi i Labinotit Elbasan, pjesë e brezit të artë verdheblu, mbetet një figurë simbol e përkushtimit dhe shpirtit të garës. I njohur për forcën, disiplinën dhe grintën në fushë, Deliu arriti të spikasë jo vetëm në kampionatin vendas, por edhe në arenën kombëtare, duke fituar një vend në Kombëtaren Shpresa të Shqipërisë.

Një nga momentet kulmore të karrierës së tij mbetet pjesëmarrja historike me Labinotin në Ligën e Kampioneve, ku ai ishte titullar në të dyja përballjet, pas shpalljes kampion për herë të parë në histori ,një arritje që mbetet krenari për qytetin e Elbasanit.
Pas mbylljes së karrierës si futbollist, Deliu nuk iu nda futbollit. Ai vijoi të kontribuojë si trajner, duke drejtuar skuadra të njohura si KF Elbasani, KF Sopoti dhe KS Shkumbini Peqin, ku la gjurmë me profesionalizmin dhe përkushtimin e tij.

Në vitet e fundit, ai është fokusuar te futbolli i moshave, duke u kthyer në një mentor për brezat e rinj. Shumë prej lojtarëve që ai ka ndihmuar të rriten sot janë pjesë e ekipeve në të gjithë Shqipërinë, çka e bën edhe më të çmuar trashëgiminë e tij në sport.
Me rastin e 68-vjetorit, Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan i ka përcjellë urimet më të mira për jetë të gjatë dhe shëndet, duke vlerësuar rolin e tij të pazëvendësueshëm në zhvillimin e futbollit.
Luan Deliu mbetet një emër që nuk harrohet një figurë që mishëron pasionin, përkushtimin dhe dashurinë për fanellën, duke u kthyer në frymëzim për çdo brez që ëndërron futbollin.


