Me mbarimin e sezonit televiziv, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka marrë raportime shqetësuese për largime masive nga puna të gazetarëve, moderatorëve dhe drejtuesve të emisioneve në media.
Këto zhvillime po ndodhin në mungesë të transparencës dhe pa komunikim publik për arsyet konkrete, duke krijuar një klimë pasigurie dhe duke rrezikuar sigurinë e punës së profesionistëve të medias.AGSH po monitoron me vëmendje situatën në media dhe paralajmëron se do të shprehë vlerësimin e saj sapo të kontaktojë të gjitha palët e përfshira.
Asociacioni rikujton rëndësinë e respektimit të Kodit të Punës, kontratave dhe procedurave ligjore të shkarkimit. Çdo vendim që prek marrëdhëniet e punës duhet të jetë i drejtë, i dokumentuar dhe transparent. “Largimet pa sqarim jo vetëm që demoralizojnë komunitetin gazetaresk, por cenojnë edhe lirinë redaksionale dhe standardet profesionale,” thekson AGSH.
Asociacioni u bën thirrje institucioneve mediatike që të trajtojnë me kujdes burimet njerëzore dhe të respektojnë dinjitetin e gazetarëve, sepse liria e medias dhe cilësia e informacionit nuk mund të ekzistojnë pa një gazetari të mbrojtur dhe të respektuar.
AGSH deklaron gatishmërinë për të ofruar mbështetje çdo gazetari apo moderatori që ndjen se i janë cenuar të drejtat ligjore apo profesionale, duke u angazhuar në mbrojtjen e të drejtave dhe standardeve të fushës mediatike në Shqipëri.