Lamallari: Kemi forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe sigurinë kufitare

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari

TIRANË, 3 prill/Albania Express News / Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari bëri sot një prezantim të reformave që janë ndërmarrë në fushën e sigurisë në vend, në plotësim edhe të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i negociatave me Bashkimin Europian.

Gjatë një konference për shtyp, ministri theksoi se ka rezultate të matshme në kuadër të Kapitullit 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, duke forcuar luftën kundër krimit të organizuar, sigurinë kufitare dhe menaxhimin e migracionit.

Lamallari theksoi se Shqipëria vijon pa ndalim rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, ndërsa është rritur roli i Policisë së Shtetit, si kontribues aktiv në sigurinë europiane.

Në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit ekonomik, Lamallari veçoi si vlerë të shtuar ngritjen e Zyrë për Rikuperimin e Aseteve.

“Ne kemi ekipin e duhur për të adresuar hetimet e thelluara në bashkëpunim të ngushtë me organet e Prokurorisë për të bërë të mundur rritjen e sekuestrimeve të pasurive nga krimi”, shtoi ai.

Po ashtu, Lamallari theksoi se ka zhvillime shumë të rëndësishme në luftën kundër drogave. “Kemi vijuar më tej duke ngritur një zyrë të dedikuar, duke e trajtuar çështjen e drogave si çështje që shkon përtej arrestimeve, duke u ndalur edh te rehabilitimi i personave të përfshirë”, shtoi Lamallari.

Ministri veçoi po ashtu edhe progresin e arritur me miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal.

“Kemi adresuar një kërkesë të vazhdueshme të BE-së për adresimin e 7 direktivave që lidhen me çështje shumë të rëndësishme si trafikimi i armëve, i qenieve njerëzore, mbrojtja e të miturve por edhe çështje që lidhen me tregtimin e drogave dhe aspekte të sigurisë kufitare. Këto janë zhvillime të rëndësishme të njohura edhe nga KE”, tha Lamallari.

Ministri vlerësoi po ashtu bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë si Europol dhe Eurojust, ku Shqipëria përfaqësohet me një prokuror ndërlidhës.

Po ashtu, Lamallari theksoi se Shqipëria ka linjëzuar regjimin e vizave me politikën e Bashkimit Europian, duke hequr disa vende nga lista e vendeve pa viza.

“Kemi dakordësuar një listë të qartë të vendeve që ne kemi pa viza, ku duhen vendosur vizat. Së shpejti kemi edhe dy vende të tjera që u rikthehet regjimi i vizave”, bëri të ditur ministri.

Sipas tij, Shqipëria po merr gjithë hapat e nevojshëm për linjëzim të fortë me kuadrin ligjor duke u përafruar me direktivat e BE-së.

“Projekti europian është edhe një projekt sigurie, ndaj përafrimi i vendeve në familjen europiane konsiderohet një projekt gjeostrategjik”, shtoi ai.

Lamallari siguroi se të gjitha strukturat janë të angazhuara për të çuar para negociatat në Kapitullin 24, ndërkohë që përmbyllja e procesit teknik është prioritet maksimal i qeverisë shqiptare.

“Aderimi i Shqipërisë në familjen europiane është një aspiratë e kahershme dhe vetëm tani është në fazën më të avancuar se kurrë. Krahas Reformës në Drejtësi që vijon pa ekuivok edhe agjencitë ligjzbatuese koordinojnë informacionin në bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë dhe gjykatat, për të finalizuar me sukses këto operacione që i shërbejnë integrimit europian”, shtoi ai.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME