Në Shqipëri, një kafe nuk është thjesht një pije ,është një ngjarje. Një skenë e shkurtër, por e ngjeshur, ku ndërthuren dramë, aksion, mister dhe komedi, si një mini-film ballkanik që shfaqet në çdo cep të vendit, nga Tirana e deri në qytetet më të vogla.
Gjithçka nis me një mesazh të pafajshëm: “Dalim për një kafe?”. Tingëllon si hyrja e një romance mes miqsh të mirë, ku secili ka nevojë për pak muhabet, për të zbrazur mendjen, për të ndarë ndonjë hall apo thjesht për të kaluar kohën. Por, shumë shpejt, ngjarjet marrin një tjetër rrjedhë…
Sa shfaqet kamarieri me faturën, fillon faza e aksionit. Një duel epik që përfshin lëvizje të shpejta portofolash, dorë që zgjatet fshehurazi nën tavolinë, ndonjë grusht i butë mbi dorën e shokut që tenton të paguajë i pari. Një lloj dueli nderi, ku secili pretendon: “Këtë herë e kam unë!”.
Kamarieri, si një figurant i hutuar në një film të Tarantinos, s’di kujt t’ia lërë kusurin. Shikon djathtas e majtas, përpiqet të kuptojë kush është “fitimtari” i kësaj beteje të vogël, ndërsa ndonjë klient tjetër buzëqesh nga larg, sepse e njeh skenarin ,ka qenë edhe ai aty.
Kulmi arrihet kur të dy palët dalin nga lokali të pakënaqur. Jo nga shërbimi, as nga kafeja, por sepse nuk arritën të paguanin vetë. Kjo është ajo çka shqiptarët e quajnë miqësi e vërtetë ,jo kush kursen më shumë, por kush shpenzon më shumë për tjetrin.