Nga Gertjana Hasalla, Eksperte Punesimi
“Do i zëvendesojmë punonjësit Shqiptarë me të huaj”
“Ekonomia do lulëzojë”
“Kemi sjellë mijëra punëtorë të huaj në Shqipëri”
Këto dhe deklarata të tjera i kemi dëgjuar të fliten lirshëm këto kohë për punonjësit e huaj në vend. Në emër të nevojave të tregut po lehtësohen procedurat për hyrjen e tyre por po injorohet një krizë që ka marrë përmasa të reja, e që në shumë raste përfundon në trafikim, shfrytëzim dhe prostitucion.
Gjatë vitit 2024 dhe gjysmës së parë të 2025-s, disa operacione policore në Tiranë, Elbasan, Durrës dhe Kavajë kanë zbuluar rrjete të organizuara ku shtetase të huaja, kryesisht nga Amerika Latine, Europa Lindore dhe Azia, të futura në vend me premtimin për punë, përfunduan në ambiente që operonin si qendra estetike ose hotele me funksion të maskuar. Jo vetëm që u keqpërdorën për prostitucion, por një pjesë nuk kishte as dokumente të vlefshme pune, e as ndihmë ligjore për të denoncuar atë që përjetonin. Madje, në një rast të bujshëm në Tiranë, u arrestua edhe një punonjëse policie si pjesë e rrjetit të shfrytëzimit.
Të dhënat tregojnë se janë proceduar penalisht mbi 60 shtetase të huaja dhe janë identifikuar raste ku hyrja në Shqipëri ishte realizuar me vizë turistike, por më pas gratë janë rekrutuar për shërbime seksuale, nën forma të maskuara si “punësim në shërbime estetike” ose “kompanitë e escort-it”. Këto raste zbulojnë se nuk është verifikuar realisht qëllimi i qëndrimit të këtyre personave, por faktojnë edhe pamundësinë për të identifikuar viktimat e trafikimit apo shfrytëzimit në momentin e parë të kontaktit me autoritetet.
Ndërkohë, në anën tjetër të këtij ekuacioni, agjensitë e punësimit në Shqipëri deklarojnë se “sjellin deri në 50 mijë punonjës të huaj në vit”. Një shifër që bie ndesh me të dhënat zyrtare nga Agjensia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, ku numri i lejeve të punës së dhëna në 2024 nuk i kalon 13 mijë. Për vitin 2025 rezulton një trend i qëndrueshëm me rreth 13 000 punonjës të huaj deri tani, dhe një rritje vjetore prej 14–20 %. Mospërputhja është jo vetëm shqetësuese, por alarmante. Nëse këto agjensi thonë të vërtetën, atëherë kemi një problem serioz me informalitetin. Nëse gënjejnë për qëllime tregtare, atëherë kemi një problem serioz me integritetin e sektorit.
Sipas kontrollit zyrtar të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, deri në vitin 2024, 188 agjensi punësimi kishin licencë të vlefshme për ndërmjetësim pune në Shqipëri. Nga këto:
Gjysma nuk kishin kryer kurrë aktivitet ndërmjetësimi
Rreth 30 % kishin ndonjë aktivitet të rastësishëm, zakonisht për projekte specifike të klientëve të mëdhenj
Rreth 30 – 40 janë agjensi aktive profesionalisht
Agjensitë private shpesh japin shifra të përgjithshme ose të mbivlerësuara për të rritur perceptimin e rëndësisë së tyre në treg, për të bindur klientët apo institucionet për potencialin që kanë për të mbuluar mungesat në tregun e punës apo për të ushtruar presion për ndryshime ligjore apo lehtësira procedurale. Këto shifra nuk janë të certifikuara dhe nuk kalojnë përmes verifikimit zyrtar. Për më tepër, shifra 50 000 mund të përfshijë aplikime që nuk janë finalizuar me kontrata pune apo me leje qëndrimi, kërkesa që refuzohen ose qëndrojnë pezull për muaj të tërë apo sic ndodh rëndom të njëjtët punëtorë kalojnë nga një agjensi në tjetrën dhe numërohen disa herë.
Ndonjëherë këto deklarime përfshijnë vendet e punës të “ofruara”, jo ato të zëna realisht. Agjensitë mund të thonë “kemi sjellë” ose “kemi mundësinë të sjellim” 50 000 punëtorë, por shpesh bëhet fjalë për kapacitetin e tyre maksimal në teori, kuotat që kanë diskutuar me partnerë të huaj apo lokalë dhe jo për numrin real të punëtorëve që kanë hyrë në Shqipëri me kontratë pune.
Për aq kohë sa nuk ka raportim të detyruar dhe transparent për sa punonjës sjellin realisht, sa prej tyre kanë kontrata dhe sa inspektohen atëherë agjensitë e punësimit mund të vazhdojnë ti bëjnë llogaritë me cfarë lapsi të duan. Për punonjësit e huaj, mungon një sistem për ndihmë ligjore që ndodhen në shkelje pa dashje, ose që përfundojnë viktima të trafikimit. Policia kufitare, Inspektorati i Punës dhe strukturat për mbrojtjen nga trafikimi veprojnë pa një sistem të përbashkët informimi dhe ndjekjeje.
Ky nuk është një problem vetëm moral, por edhe ekonomik dhe politik. Për sa kohë lejojmë që fluksi i të huajve të jetë i pambikëqyrur, Shqipëria rrezikon të shndërrohet në një korridor të ri shfrytëzimi për rrjete që e gjejnë këtë vend më të lehtë për të operuar. Ndërkohë që vendet e rajonit dhe të BE po vendosin kontrolle më të forta për punësimin e të huajve, Shqipëria po bëhet stacion i përkohshëm i shfrytëzimit në të zezë.
Koha për të ndërhyrë është tani!
Nevojiten masa të menjëhershme: një regjistër publik dhe transparent i agjencive aktive, monitorim i deklarimeve të tyre, protokolle të përbashkëta për identifikimin e viktimave, ndihmë juridike dhe përkthim për të huajt në nevojë. Punësimi nuk mund të kthehet në kurth. Shqipëria nuk mund të përparojë ekonomikisht duke heshtur përballë shfrytëzimit.