Nga Artin Halili
Në një atmosferë të ngrohtë dhe reflektuese, qyteti i Pogradecit ka hapur dyert për një ekspozitë unike që sjell për herë të parë në dritën e publikut një pasuri historike të rrallë, fotografi dhe shënime origjinale nga “Ditari i Luftës Greko-Italiane 1940–1941” i autorit arvanitas Christos Petrou Mesogeitis. Kjo ekspozitë, kuratoruar nga Ledian Zeqollari, është më shumë se një dëshmi lufte; është një rrëfim njerëzor, arkeologjik dhe etnografik për jetën në Shqipërinë e Jugut gjatë një prej periudhave më të vështira të shekullit XX.
Një sy i huaj një zemër shqiptare
Christos Mesogeitis, një arvanitas nga Greqia me formim në arkeologji, gjatë përfshirjes së tij në Luftën Italo-Greke nuk u mjaftua vetëm me shënimet mbi operacionet ushtarake. Ai shkroi, fotografoi dhe dokumentoi jetën e përditshme të njerëzve që jetonin në zonat ku kalonte, sidomos rreth Pogradecit dhe Maliqit, duke kapur jo vetëm tragjedinë e luftës, por edhe fisnikërinë dhe dinjitetin e jetës rurale shqiptare.
Një arkiv i gjallë me fytyra vende dhe zakone që nuk ekzistojnë më
Fotografitë e Mesogeitis nuk janë thjesht imazhe. Ato janë dritare në një kohë që sot është pothuajse e harruar: liqeni tashmë i zhdukur i Maliqit, kullat tre-katëshe që dikur ngriheshin krenare në fshatrat përreth Pogradecit, fshatarët që punonin tokën nën kërcënimin e luftës dhe jeta e përditshme e komuniteteve të vogla që përballonin një realitet të ashpër me krenari dhe shpresë.
Ekspozita përfshin gjithashtu shënime që tregojnë sesi Mesogeitis, përveçse ushtarak dhe arkeolog, ishte edhe një njeri i ndjeshëm që ndihmonte familjet e varfra gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri — një detaj që pasardhësi i tij, Petro Filipi, e ndan me emocion:
“Jam shumë i lumtur që pas 85 vjetësh hap këtë ekspozitë fotografish të gjyshit tim arvanitas Petros Mesogjitis. Ai nuk ka qenë vetëm një dëshmitar i luftës, por edhe një humanist. Ky është një homazh për Shqipërinë, për popullin e saj dhe për historinë që na bashkon.”
Një thesar i humbur i gjetur në kohën e duhur
Pas vdekjes së Mesogeitis në vitin 1944, ditari i tij mbeti i pazbuluar për dekada. Ishte pasardhësi i tij që mori përsipër detyrën për ta përkthyer, botuar dhe më në fund për ta sjellë për publikun shqiptar në formën e një ekspozite që do të mbetet në kujtesën e vizitorëve për shumë kohë.
Kjo ekspozitë nuk është vetëm një rikthim në të shkuarën; është një thirrje për të reflektuar mbi fuqinë e kujtesës, rëndësinë e dokumentimit dhe bukurinë e njerëzores edhe në kohë lufte.
“Kur shikojmë këto foto,” thotë kuratori Ledian Zeqollari, “nuk shohim vetëm ushtarë dhe shkrime lufte. Shohim njerëz që mbijetojnë, dashuri për vendin dhe një përpjekje për ta ruajtur historinë jo si një rrëfim të ftohtë, por si një përvojë të gjallë dhe të prekshme.”
Ekspozita është një ftesë për të gjithë ata që duan të kuptojnë më thellë se ç’do të thotë të jesh dëshmitar, të jesh njeri dhe të mbash gjallë historinë jo vetëm në libra, por në zemra. Në Pogradec, historia ka zënë vend, jo vetëm në fotografi të vjetra, por edhe në një ndjenjë të re vlerësimi për të kaluarën që na formëson.