Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot kontributin historik të Komisionit të Venecias për Reformën në Drejtësi dhe procesin e Vetingut në Shqipëri.
Rama ishte i pranishëm në hapjen e konferencës “30 vite partneritet dhe progres: Shqipëria, Këshilli i Europës dhe Komisioni i Venecias”.
Kryeministri theksoi se Komisioni i Venecias ka kontribut historik për reformën më të thellë dhe më të vështirë që ka bërë Shqipëria, Reformën në Drejtësi.
“Ky komision ka qenë një bashkëudhëtar i pandarë, një udhërrëfyes si gjithmonë i matur dhe një autoritet që na ka ndihmuar të krijojmë gjatë gjithë kohës busullën dhe të orientohemi gjatë gjithë kohës në drejtimin e duhur”, tha Rama.
Sipas tij, pa Komisionin e Venecias do të kishte qenë e pamundur që Shqipëria të ndërmerrte procesin e Vetingut, një proces kyç për Reformën në Drejtësi.
“Një proces që nuk është kryer me të njëjtën thellësi në asnjë vend që ngjashëm është përpjekur ta kryejë. Një proces po ashtu që deri në momentin e opinionit të Komisionit të Venecias kishte dhe jo pak kundërshti edhe në rrethet profesionale ndërkombëtare, por Komisioni i Venecias ndër të tjera ka fituar dhe fuqinë për t’u imponuar në të gjitha instancat dhe për tu respektuar nga të gjitha instancat dhe unë jam dëshmitar i faktit që opinionet e Venecias janë opinione të cilat respektohen plotësisht në çdo nivel ndërkombëtar të lidhur me çështje qe kanë të bëjnë me shtetin e se drejtës dhe me proceset e reformave dhe të masave që lidhen me shtetin e së drejtës”, shtoi Rama.
Kryeministri vlerësoi se ky institucion ka shuguruar në vijimësi përpjekjen e Shqipërisë për t’u demokratizuar dhe transformuar nga një vend i sapodalë prej diktaturës në një vend që synon të ulet në tryezën e BE-së.
“Komisioni i Venecias dhe demokracia shqiptare janë ‘shokë materniteti’. Kanë lindur në të njëjtën kohë, në vitin 1990. Komisioni i Venecias si një fëmijë i Evropës së ribashkuar në vlerat e lirisë dhe me dëshirën për t’u njehsuar me parimet e demokracisë dhe demokracia shqiptare si një ëndërr e shumëndërruar që më në fund pa të hapur shtegun e saj”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se historia e zhvillimit demokratik në Shqipëri është tërësisht e lidhur me historinë e rritjes dhe të forcimit të influencës së Komisionit të Venecias.
“Bëhet fjalë për procese që në vende si Shqipëria kanë pasur në vazhdimësi nevojën e ndihmës dhe të një mbështetje mençurie dhe nevojën e një asistenti të paanshëm të çdo vendi në kërkim të standardeve më të mira”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se sot Komisioni i Venecias ndër të tjera ka në bilancin e vet edhe kontributin e paçmuar për Kushtetutën e parë të shtetit demokratik shqiptar, asaj të vitit 1998.
“Po ashtu Komisioni i Venecias ka edhe një sërë ndërhyrjesh shumë të rëndësishme në procese ku mendimi dhe opinioni i tij ka luajtur një rol vendimtar për kahjen e procesit. Pa diskutim që Komisioni i Venecias ka kontribute kyçe për historinë e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, kontribute në Kodin Zgjedhor, të cilat kanë mbështetur thelbësisht përmirësimin e këtij kodi dhe kanë forcuar garancinë e standardeve demokratike”, shtoi Rama.
Komisioni i Venecias, sipas Ramës, është një partner i pazëvendësueshëm. “Sa i pazëvendësueshëm aq edhe i pabujshëm, i heshtur madje, i Shqipërisë që do të vazhdojë patjetër të jetë një pikë referimi për ne, për të kuptuar sa më mirë se çfarë duhet të bëjmë më mirë në të gjitha momentet kur do të kemi dilemat e pandashme nga proceset e reformave dhe të ndryshimeve”, u shpreh Rama.