Përfaqësuesja “Dardane” do të luajë sonte në Lubjanë ndeshjen vendimtare të Grupit B ndaj Sllovenisë. Kjo përballje është tejet e rëndësishme për Kosovën, e cila me rezultat pozitiv siguron së paku vendin e dytë që çon në “play-off”, ndërsa sllovenët me fitore mbajnë gjallë shpresat për ta marrë ata këtë pozitë.
Trajneri i Kosovës, Franko Foda, është shprehur optimist para ndeshjes, duke theksuar se detajet do të jenë vendimtare. “Në takimin e parë të dyja skuadrat luajtën mirë, por nuk shfrytëzuan rastet. Pres diçka të ngjashme edhe sot. Detajet do të bëjnë diferencën,” tha ai.
Foda tregoi se Kosova ka analizuar si ndeshjen me Slloveninë, ashtu edhe paraqitjet e tyre të tjera. “Synimi ynë është fitorja, dhe besojmë se mund ta arrijmë,” u shpreh trajneri, duke theksuar se një triumf në Lubjanë do t’i mbante gjallë shpresat për kualifikim direkt në Botëror, sidomos nëse Zvicra ndalet nga Suedia.
Ai konfirmoi se Amir Rrahmani do të jetë titullar pas rikthimit nga lëndimi: “Amiri ka luajtur tre ndeshje të plota me Napolin, është pak i ngarkuar, por gati.” Ndërsa për Edon Zhegrovën ende s’ka vendim përfundimtar: “Do të vendosim nesër, në bazë të nevojave të ekipit.”
Ndeshja Slloveni–Kosovë zhvillohet sonte në orën 20:45, në stadiumin “Stožice” të Lubjanës.

