Qyteti i Korçës synon titullin prestigjioz “Qyteti Europian i Sportit 2026”. Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, dhe zëvendësministri i Sportit, Endrit Hoxha, mirëpritën në qytet delegacionin e ACES Europe, organizatë jofitimprurëse me seli në Bruksel, e cila çdo vit vlerëson qytete dhe komunitete sportive evropiane.
Në një postim në rrjetet sociale, Filo njoftoi se delegacioni i ACES Europe inspektoi infrastrukturën sportive dhe ndoqi prezantimin mbi traditën dhe vizionin e qytetit për sportin.
“Korça ka traditë të pasur sportive dhe infrastrukturë moderne që po zgjerohet me projekte madhore, nga rikonstruksioni i Pallatit të Sportit deri te ndërtimi i stadiumit të ri. Ne e shohim sportin si pjesë të jetës së përditshme, duke mbështetur ekipet profesioniste, sportin masiv, akademitë e të rinjve dhe aktivitetet amatore,” theksoi Filo.
Sipas kryebashkiakut, aplikimi për këtë titull është një angazhim për të forcuar rolin e sportit në edukim, shëndet dhe socializim. “Jam i bindur se Korça e meriton këtë vlerësim dhe besoj se viti 2026 do ta gjejë qytetin tonë si Qyteti Europian i Sportit,” shtoi ai.
Fitimi i këtij titulli pritet të ndikojë pozitivisht edhe në promovimin e qytetit, duke nxitur organizimin e shumë aktiviteteve sportive dhe rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit në sport.