Atmosferë elektrizuese dhe emocione të forta sportive kanë shoqëruar ndeshjet rajonale të basketbollit për shkollat e mesme, të organizuara nën kujdesin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Përballjet mes përfaqësueseve të qarqeve Elbasan dhe Korçë dhuruan një spektakël të vërtetë në parket, ku pasioni, rivaliteti dhe dëshira për fitore ishin të pranishme në çdo moment.

Në kategorinë e vajzave, ekipi i Korçës u shfaq dukshëm superior, duke triumfuar me rezultatin bindës 45–16 ndaj Elbasanit. Vajzat korçare dominuan lojën nga fillimi në fund, duke treguar organizim të shkëlqyer dhe efikasitet të lartë në sulm, çka u përkthye në një fitore të merituar dhe një paraqitje mbresëlënëse.

Ndërkohë, shumë më e luftuar dhe dramatike ishte ndeshja e djemve, ku gjithçka u vendos në detaje. Ekipi i djemve të Gjimnazit ” Themistokli Gërmenji ” i Korçës arriti të dalë fituese me rezultatin minimal 20–18, pas një përballjeje të fortë dhe me ritëm të lartë. Të dyja skuadrat dhanë maksimumin në fushë, duke ofruar një duel të vërtetë sportiv që mbajti pezull emocionet deri në sekondat e fundit.

Këto ndeshje jo vetëm që promovojnë sportin në shkolla, por edhe nxisin frymën e garës së ndershme, bashkëpunimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në basketboll. Organizimi i aktiviteteve të tilla nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar mbetet një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kulturës sportive tek të rinjtë dhe identifikimit të brezit të ardhshëm të sportistëve shqiptarë.


