Konferencë Jubile në Tiranë në 30-vjetorin e anëtarësimit në Këshillin e Europës

Me rastin e 35-vjetorit të Komisionit të Venecias dhe 30-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në Këshillin e Europës, u zhvillua në Tiranë konferenca jubilare “30 vite Shqipëria, Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të qeverisë, drejtësisë, institucioneve të pavarura dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Buquicchio: Komisioni i Venecias në dispozicionin tuaj për Reformën Zgjedhore

I pranishëm ishte edhe ish-kryetari i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio, i cili në fjalën e tij kujtoi rolin e gjatë dhe të vazhdueshëm të këtij institucioni në proceset zgjedhore në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit të rregullave demokratike dhe të shmangies së ndryshimeve të njëanshme në Kodin Zgjedhor.

Buquicchio përshëndeti nismën për krijimin e komisionit të ri ndërparlamentar për reformën zgjedhore, duke shprehur gatishmërinë e Komisionit të Venecias për të bashkëpunuar, por theksoi se rregullat e lojës nuk duhet të ndryshohen sipas interesave të lojtarëve

“Ligji zgjedhor, kodi elektoral ka qene objekt bashkëpunimit midis Komisionit të Venecias dhe Shqipërisë për më shumë se tre dekada. Është bërë vendimtar në krizën e 1997. Në vitet e ardhshme zhvilluam diskutuam me palët e ndryshme për të gjetur zgjidhje të përhershme. Që atëherë ne ndërhymë dhe dhamë mendime për një numër reformash zgjedhore”, vuri në dukje ai.

“Nuk duhet të harrojmë, se ashtu si për kushtetutën, kemi të bëjmë me rregullat e lojës dhe rregullat e lojës nuk duhet të ndryshohen në bazë të interesave të lojtarëve apo disa prej tyre. Nëse parashikohen ndryshime, ato duhet të përqendrohen në zbatimin e rekomandimeve të dhëna nga organizatat ndërkombëtare. Do të përmendja edhe komisionin e ri ndërparlamentar që do të shqyrtojë këtë temë në bashkëpunim me Komisionin e Venecias dhe ne jemi në dispozicionin tuaj”, u shpreh ish-kreu i “Venecias”.

Buquicchio vlerësoi edhe procesin e vetingut.

“Duke ardhur tek çështjet e fundit, nuk mund të rri pa nënvizuar punën e rëndësishëm që po bëhet për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve i ashtuquajtur ligji i vettingut. Ky është një shembull tejtër i bashkëpunimit në fushën e gjyqësorit. Në punën e tij për listën e kontrollit të sundimit të ligjit, Komisioni i Venecias po trajton rivendosjen dhe konsolidimin e sundimit të ligjit”, tha ai.

“Ndërsa në një kontekst të ndryshëm nga ndërhyrja e pushtetit politik në gjyqësor dhe mënyra për ta korrigjuar atë, puna jonë për ligjin e vetingut mund të konsiderohet si një nga reflektimet e para për rivendosjen e shtetit të së drejtës. Pyetja kryesore dhe çështja kryesore është si t’i japim fund një situate e cila bie ndesh me sundimin e ligjit, por duke respektuar këtë të fundit”, tha Buquicchio.

Buquicchio tha se “bashkëpunimi midis Komisionit të Venecias dhe Shqipërisë është shumë i pasur. Ai trajton shtyllat e një demokracie të shëndetshme, ai synon të siguroje zbatimin e tre parimeve kryesore të Këshillit të Evropës, demokracia të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit”.

“Në këtë periudhë, Shqipëria mund të duhet të përparojë për të mirën e popullit të saj dhe për një integrim të plotë në BE dhe familjen evropiane”, u shpreh ai.

Zaçaj: Koha e drejtësisë kushtetuese shqiptare si partnere e plotë evropiane ka ardhur

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, në fjalën e saj përpara përfaqësuesve të Kuvendit, Qeverisë, Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias, theksoi rëndësinë jetike të drejtësisë kushtetuese për garantimin e të drejtave themelore dhe ruajtjen e ekuilibrave demokratikë.

Të drejtat e njeriut, tha ajo, “nuk janë ideologji apo mendime abstrakte, por pjesë përbërëse e qenies sonë që marrin kuptim vetëm përmes zbatimit të tyre nga institucionet publike”.

Duke vënë theksin te bashkëpunimi afatgjatë me Komisionin e Venecias, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese u shpreh “në këto tri dekada, Komisioni i Venecias ka qenë një partner thelbësor në konsolidimin e sistemit tonë kushtetues dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut. Ky bashkëpunim ka ndihmuar në rritjen e profesionalizmit dhe legjitimitetit të institucioneve tona, duke forcuar themelet e shtetit të së drejtës”.

Zaçaj vijoi fjalën e saj duke theksuar se “kërkimi i një opinioni këshillimor duhet të ndodhë paraprakisht, jo si mjet për të kontestuar një vendimmarrje të dhënë. Kjo është thelbësore për të ruajtur autoritetin institucional të Gjykatës dhe për të respektuar ndarjen e pushteteve”

Kryetarja e Kushtetueses vlerësoi gjithashtu rolin udhëzues të Komisionit të Venecias si një pikë referimi për standardet evropiane në fushën e të drejtës kushtetuese, duke rikonfirmuar angazhimin e Gjykatës Kushtetuese për të vijuar dhe forcuar këtë partneritet të rëndësishëm institucional.

“Koha e drejtësisë kushtetuese shqiptare si partnere e plotë evropiane ka ardhur,” përfundoi fjalën e saj kreu i Kushtetueses.

Lamallari: Paraburgimi i tejzgjatur, padrejtësia më e madhe

Ndërkohë në fjalën e tij, ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari përmendi dy të dhëna “aspak të rehatshme” sipas tij që ka hasur në raporte informuese në shkrim që në krye të marrjes së detyrës.

Sipas ministrit këto dy të dhëna lidhen si me sistemi penitenciar në Shqipëri si dhe me sistemin gjyqësor. Lamallari tha se nga 4 576 shtetas të cilët gjenden sot në burgjet e vendit rreth 60% e tyre janë ende në pritje të një vendimi gjyqësor.

“Qëndrimi në paraburgim për një kohë më të gjatë se koha e disponuar me vendim përfundimtar gjykate për shumë prej tyre shndërrohet në padrejtësinë më të madhe për ta dhe familjarët e tyre” u shpreh Lamallari.

Ministri theksoi gjithashtu edhe faktin se gjykatat nuk udhëzojnë qytetarët për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve jashtë procesit gjyqësor.

“Së dyti, teksa ne përballemi me sfida si vakancat e krijuara nga zbatimi i vetingut në Shqipëri, sigurisht një masë më se e nevojshme, apo rritja në vijim e backlog apo çështjeve të mbartura nga viti në vit, ndonëse ligji sanksionon ndërmjetësimin si veprimtari jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, veçanërisht në çështje civile, familjare, të punës, apo edhe në rastet kur përfshihen interesa të të miturve apo marrëdhënie bashkëshortore, vitin e shkuar në shkallë Republike, vetëm një Gjykatë rrethi ka udhëzuar dhe informuar palët mbi mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes ndërmjetësimit.

“25 raste nga 1500 të tilla të regjistruara vullnetarisht apo përmes shërbimit për ndihmë juridike falas në Ministrinë e Drejtësisë, nuk arrin dot as 2% të totalit të çështjeve që mund të ishin kanalizuar për zgjidhje përtej proceseve tradicionale, të cilat më së shumti janë të tejzgjatura, me kosto për qytetarët dhe ndikim tek besimi i tyre në institucionet e drejtësisë.

“Shkalla e suksesit të trajtimit dhe zgjidhjes së tyre nga ndërmjetësit e licencuar arrin në 85-90%. Kjo sa për të ilustruar, pa folur më pas për potencialin e jashtëzakonshëm por shumë pak ose aspak të eksploruar të arbitrazhit, pajtimit, negocimit, apo metodave hibride dhe përdorimit të teknologjisë për zgjidhjen e një kategori mosmarrëveshjesh”, deklaroi Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Në përfundim ai tha se shteti i së drejtës nuk është një stacion ku mbërrijmë, por një udhëtim i pandalshëm që kërkon përkushtim të përhershëm.

“Prandaj, sfida jonë sot është ta konsolidojmë Reformën në Drejtësi, të sigurojmë funksionimin efikas të institucioneve të reja, të rrisim transparencën dhe të forcojmë integritetin në çdo hallkë të administratës dhe sistemit të drejtësisë”, tha ai.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Praga i jep fund skuterëve elektrikë, qyteti synon rrugë më të sigurta për këmbësorët

Praga ka vendosur të ndalojë marrjen me qira të...

Një portier për historinë; Neuer, ‘gardiani’ me 363 fitore në Bundesligë, askush si ai

Bayerni i Mynihut të shtunën mori një fitore shumë...

U-17 për vajza / Shqipëria barazon me Estoninë në “Elbasan Arena”

Shqipëria U-17 për vajza zhvilloi sot në stadiumin “Elbasan...