Kohërat nga prehëri i gjyshes në kornizën e memorjes vlonjate

Rubrika: “Kujtime të çmuara”

Nga Fatmir Terziu

Vitet jashtë fotografisë pikëtakojnë kohërat… Në fakt ndërsa nisa të kuptoja mësova se ishin lutur plotë nëntë vite, pas martesës së bujshme të prindërve të mi. Ma tha nëna ime e paharuar, mes gëzimit dhe lotëve për fëmijën e saj të parë, ma pëshpëriti gjyshja ime nga babai me ninullat e saj, po aq dhe gjyshja tjetër e përkulur mbi një djep poshtë hurmave në Spajkore, duke më ushqyer me këngën e saj tipike e të ndjeshme shpirtërore.

Ndërsa im Atë, e shkruante në heshtje gëzimin e tij, që gjyshërit e kishin piketuar në dhurata të shumta, që para se të lindja, me këpucë e kostum, me rroba të shtrenjta të kohës, sepse vija nga një shtresë tjetër.
E kështu e qara u ndje dhe fëmija ishte aq më mirë mashkull në duart e tyre. E si mund të shpëtonte ky fëmijë nga prehëri që ishte qelibar tek gjyshja ime, e që kishte lindur babain tim fill pas trembëdhjetë viteve martesë të saj.

Ndaj lutej… Lutej si atëherë për veten e saj, që të kishte një fëmijë… e unë …. Unë mbeta në djepin e thurrur bukur, e qeshura, bëlbëzimi dhe shpresa në dritën e trashëgimisë…
E kështu,
grindja lozanjare, xheloze, më shpërthen në zemrën time
me çdo goditje tumpana fjalësh, që më bien në vesh
një jehonë gazmendi dhe ndryshimi derdhet në venat e mia
duke bërtitur ato fjalë shigjerbëse, që dikur kishin kuptim të strukur
retë e errëta u derdhën dhe shpërtheu një stuhi e fortë
në të cilën m’u lanë lotët…
Dhe,
edhe një herë u ngrys bardhë e zi dhe u përthye malli
brenda fotografisë,
zemra u kthye në furrë
me atë moshë…..që ishte i imja
dikur…
E kështu,
grindja lozanjare, xheloze, më shpërthen në zemrën time, si atëherë kur më shpunë në Kishë e në Xhami, në Teqe e në Vendin e Mirë, se sikurse ishte thënë të shpëtoja nga syri i keq. E syri i keq i asaj kohe ishte një arsye pse duhej të ishte në atë që të gjithë që e rrethonin atë fëmijë në rritje e sipër të kishte gjithë pranverë, ashtu pra pranverë edhe në dimër. E gjitha tashmë shtë e strukur. E strukur, mjaft bukur… dhe e shenjtë për mua në memorje.

E strukura dhe e shenjta e fëmijërisë sime është ndoshta një udhë ndryshe… Një udhë jetike dhe shpresëdhënëse, e lindur tek besimi, lutja dhe mirësia, tek Krijuesi. Pikërisht aty ku ne të gjithë e duam një udhëtim të mirë në korsinë e kujtesave (me kusht që ato të jenë lloji i mirë i kujtimeve!) Dhe një ditë kujtohemi. Bëhemi të penduar që nuk e kishim mundësinë për ta pasur një të tillë. Nuk e kemi realizuar?! Dhe ndjehemi të humbur. Koha nuk kthehet. Fiksohet momenti i saj. Kështu ka ndodhur dhe këtu. Kjo fotografi mban në kornizën e saj autorin e këtij shkrimi, kur ai ishte vetëm një vjeç.

Është në prehërin e Gjyshes dhe është fiksuar në korrik të vitit 1965. Fotografi ka qenë nga Vlora, ishte daja i gjyshes sime, dhe ai quhej Shaban Rama. Ishte besimtar dhe me shkrepjen e fotografisë e pëshpëriste: „Qoftë jetëgjatë dhe e hajrit! Jetë të gjatë djalit dhe i qoftë pranë gjithnjë Zoti në ballë të sahatit“. Këtë pëshpëritje e ka fiksuar pas kjo fotografi. Një pëshpëritje narrative me një të shkruar mjaft domethënëse dhe me një koleografi të përsosur. Koleografi ta kesh zili.

Dhe kthehem tek ajo që freskon memorjen nga rrëfimet e gjyshes sime të dashur, prindërve të mi të paharruar, që më sollën në jetë si dhuratë nga Zoti, pas nëntë vitesh martese, dhe të tjerëve. Kjo më vjen tashmë si aromë e largët. Ndonjëherë gjithçka që duhet është një aromë e njohur ose një shije e caktuar për të ngjallur një kujtim të vjetër, duke na bërë të ndihemi sikur jemi kthyer në kohë në atë moment ku është krijuar.
Dhe tani e shikoj dhe e ndjej sikur më thotë „Ti dhe unë kemi kujtime më të gjata se rruga që shtrihet përpara…“ Dhe ja prapë pas shumë vitesh fotografia në Vlorë me zemrën dhe jetën time…

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

SHBA – Dhjetëra gazetarë të mediave ”braktisin” Pentagonin

Dhjetëra gazetarë u larguan nga Pentagoni në shenjë proteste...

Projekt për krijimin e akademisë zyrtare të Interit në Shqipëri

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja priti...

10 startup-e shqiptare drejt Silicon Valley

Në ambientet e Piramidës u zhvillua finalja e programit...