Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu vizitoi në spitalin e Traumës punonjësit e policisë të lënduar gjatë protestës së opozitës, të cilët po marrin ndihmë mjekësore.
Përmes një komunikimi për mediet, Koçiu theksoi se ka kërkuar që të vendosen para përgjegjësisë të gjitha ata që sot u bënë pjesë e një dhune barbare.
Sipas saj, qëllimi i vetëm i protestës së sotme ishte goditja e punonjësve të Policisë së Shtetit.
“Erdhëm të shohim efektivët e lënduar. Protesta e sotme, e cila sipas nesh duhet të jetë e drejtë dhe paqësore, kaloi në një nivel të paprecedentë dhune ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit. Është protesta e dytë që drejtohet ndaj punonjësve të policisë, dhe drejtuesi i saj, Sali Berisha, është i vetmi që mund të udhëheqë protesta të tilla dhune ndaj efektivëve, të cilët janë prindër, vëllezër dhe që çdo ditë punojnë për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së qytetarëve”, tha Koçiu.
Ministrja shtoi se “sot kam informacione që edhe gazetarë kanë pësuar lëndime në emër të dhunës. Protestat janë detyrime kushtetuese për t’u zbatuar në mënyrë paqësore”.
Ministrja nënvizoi se është barbare ajo që u pa dhe dëshmua sot ku gjatë protestës 16 punonjës policie kanë “pësuar djegie të konsiderueshme”.
Gjithashtu, ministrja Koçiu ishte edhe në shërbimin e Djegie-Plastikës në QSUNT ku vizitoi punonjësit e Policisë së Shtetit që mbetën të plagosur “nga molotovët e hedhur në mënyrë barbare drejt tyre”.
“Ledio 26 vjeç, Kreshniku 38. Kundër tyre e kolegëve të tyre u përdorën, molotovë, bomba artizanale të mbushura me lëndë djegëse, gurë, çdo gjë, me të vetmin qëllim për goditur e dhunuar ata që janë në krye të detyrës. Dua ta them qartë: ata që goditën punonjësit e Policisë nuk janë protestues. Ata janë kriminelë të organizuar. Kur godet me të tilla mjete e bën duke e ditur se pasojat mund të jenë shumë, shumë të rënda”, deklaroi Koçiu.
Ajo shtoi se “kjo nuk është protestë, këto nuk janë përplasje. Kjo quhet tentativë vrasjeje”.
“Pres nga institucionet ligjzbatuese të reagojnë fort ndaj kësaj sjellje të përsëritur të dhunës nga disa elementë kriminalë të nxitur nga persona me imunitet që inkurajojnë dhunën”, u shpreh ministrja Koçiu.

