TIRANË, 2 prill /Albania Express News/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë u mblodh në seancë plenare, në praninë e anëtarëve të Këshillit, përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë dhe misionit OPDAT.
Në fillim të seancës, rendit të ditës iu shtua për diskutim propozimi i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës për shpalljen e vendeve vakante për procedurën e transferimit nërpërmjet lëvizjes paralele në Prokuroritë pranë Gjykatave të Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Pas shqyrtimit të relacionit përkatës, Këshilli miratoi sot vendimin për plotësimin e tre vendeve të përkohshme vakante në Prokurorinë e Durrësit, përmes procedurës së transferimit të përkohshëm me pëlqim. Kandidatët që përmbushin kriteret e përcaktuara duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentacionin përkatës brenda datës 08.04.2026, ditë e mërkurë, ora 24:00.
Me propozim të Komisionit për Vlerësimin Etik dhe Profesional, Këshilli miratoi komentet dhe kundërshtimet për vlerësimin paraprak të kandidatëve që kanë aplikuar për provimin e pranimit në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2026–2027, në profilin prokuror.
Në vijim, Këshilli miratoi unanimisht dy kërkesa për veprimtari jashtë-funksioni për prokurorët Ylli Pjetërnikaj dhe Esmeranda Basho.
KLP njofton se lidhur me propozimin për plotësimin e vakancave në Prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Këshilli vendosi të shpallë fillimin e procedurave të transferimit nëpërmjet lëvizjes paralele për pozicionet e lira.
Pozicionet e lira janë, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës 7 pozicione,
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan 4 pozicione, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë 1 pozicion dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë 7 pozicione.
Gjatë kësaj mbledhjeje, Këshilli miratoi raportimet vjetore për vitin 2025 të Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, si dhe të Komisionit për Planifikimin Strategjik, Administrimin dhe Buxhetin.

