Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi tha në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Kryesisë se deri më 12 qershor, që përkon me 35-vjetorin e themelimit të partisë do të mbyllen zgjedhjet për drejtuesit lokalë të PS.
Ai shpjegoi se zgjedhjet e drejtuesve lokalë do shtrihen me struktura edhe në diasporë, veçanërisht në vende ku PS pati më shumë vota në zgjedhjet e fundit.
“Mbledhja e Kryesisë ishte një mbledhje pune e PS, duke i hapur rrugë thirrjes së Asamblesë Kombëtare. PS, me datë 21 mars, do të mbajë një asamble që do të përcaktojë një program të detajuar zgjedhor për partinë tonë.
Viti në të cilin jemi është viti kalendarik, i cili, në zbatim të statutit të PS, do të kërkojë një proces zgjedhor në gjithë strukturën vendore të PS. Ky proces do të fillojë me zgjedhjet e kryetarëve të organizatave dhe formave lokale të PS, një proces që ndodh çdo dy vjet dhe që synon rifortifikimin e gjithë strukturës së PS në gjithë vendin.
Ky proces do të përfshijë të gjithë forumet e zgjedhura dhe do të shtrihet në çdo qelizë të partisë në gjithë vendin. Në mbledhjen e datës 21 do të kemi diskutime për përfshirjen e të gjithë anëtarëve të PS, një proces që gjithmonë hap rrugën për zgjedhje të reja, por edhe për anëtarësime të reja në PS, që gjithmonë kanë kërkuar rifreskim dhe përforcim.
Të gjitha këto zhvillime bëhen në vitin e 35-të të jetës së partisë sonë. Më 12 qershor të këtij viti shënohet 35-vjetori i PS, dhe gjithë procesi do të kurorëzohet në këtë datë me një rivlerësim të gjithë kontributeve të anëtarësisë së PS, themeluesve, kontribuuesve dhe natyrisht anëtarëve të rinj të partisë.
Statuti përcakton zgjedhjet në forumet lokale të partisë, forumet vendore dhe zgjedhjet e drejtuesve lokal të PS, por tani me një dimension të ri. Nga zgjedhjet e kaluara kemi evidentuar funksione jashtëzakonisht të rëndësishme për funksionimin e partisë, siç janë degët e PS në diasporë, kryesisht në vendet ku kemi pasur numrin më të madh të votave. PS pati sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nga vota e diasporës, dhe për këtë do t’i përgjigjemi me një organizim strukturor, duke krijuar struktura ku shqiptarët ndjekin dhe mbështesin PS”, tha Klosi.

