Në fjalën e saj mbajtur gjatë protestës së sotme para godinës së New24, Drejtoresha e Përgjithshme e News24, gazetarja e njohur Anila Jole, ka reaguar me emocion pas fikjes së sinjalit të televizionit News24, duke e quajtur këtë situatë shqetësuese si nga ana profesionale dhe personale.
Ajo theksoi se gazetarët e News24 kanë qenë në krye të ngjarjeve, nga tërmetet, përmbytjet e deri te pandemia duke punuar pa orar për t’i sjellë publikut informacionin në kohë reale.
“Gazetaria nuk është punë që e mbyll me turnin. Edhe kur tronditet tavolina e lajmeve nga tërmeti, spikeri vazhdon të lexojë. Edhe kur bie pandemi, duhet të hysh në spitale. Edhe kur ka krime, je mes armëve,” – tha ajo.
Jole tha në fjalën e saj gjatë protestës, se ndjehet e shqetësuar për të ardhmen e kolegëve televizionit, ndërsa kujton se para tre ditësh sinjali nuk ekziston.
Sipas saj, edhe tuneli që lidh godinën e vjetër me atë të re të News24, ku ndodhin pajisjet e shtrenjta, u prish sot nga IKMP pa paralajmërim.
Anila Jole: Ju falenderoj te gjitheve qe jeni ketu per te na mbeshtetur, falenderoj edhe ata qe nuk jane ketu, por jane solidarizuar me ne, gjithe koleget gazetare qe raportuan per ne, qe shkruan per ne, qe u shqetesuan per ne dhe per ate qe ndodhi me televizionin tone.
Po flas sot jo vetëm si përfaqësuese e grupit tonë, por edhe si një nga punonjëset e para të News24. E kam parë këtë televizion të lindë, të rritet dhe të bëhet një prej zërave më të besueshëm dhe me te dashur të informacionit në vend. Pikërisht për këtë arsye, ajo që ndodhi është për mua jo vetëm një tronditje profesionale, por edhe personale.
Te shtunen ne mengjes, pa paralajmërim, u ndërpre sinjali ynë dhe u bllokua hyrja e gazetarëve në vendin e tyre të punës. Na u tha se ishte një çështje kontrate qiraje, por të gjithë e dimë se marrëdhëniet kontraktuale nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si pretekst për të mbyllur një zë të lirë informimi. Konfliktet civile zgjidhen në gjykata, jo duke fikur ekranin e një televizioni që i shërben publikut.
Kjo që ndodhi ketu te shtunen nuk është vetëm një çështje e News24. Kjo është një çështje që prek çdo media dhe çdo gazetar në Shqipëri, pasi sot është News24, nesër mund të jetë çdo zë tjetër kritik.
Jam thellësisht e shqetësuar për të ardhmen e këtij televizioni, për të ardhmen e kolegëve të mi te cilet kane punuar me pasion, mund e sakrifica ne çdo rrethane per te informuar publikun dhe sot me te drejte ndiejnë pasiguri për veten e tyre. Shqetesohem dhe për të drejtën e qytetarëve shqiptarë që të informohen shpejt e me cilesi.
Liria e medias është themeli i një shoqërie demokratike, dhe kur ajo cenohet, cenohet vetë demokracia.
Ndaj sot dua t’i drejtohem publikut: ju që na ndiqni prej vitesh, që keni besuar tek ne, mos e lini të shuhet ky zë. Zëri i një media të lirë është mburoja juaj si qytetarë.
Dua t’i drejtohem edhe kolegëve të tjerë të medias: sot nuk është thjesht beteja e News24, është beteja jonë e përbashkët. Sot jemi ne, nesër mund të jeni ju. Le të jemi të bashkuar në mbrojtje të së drejtës për të folur dhe për të informuar.
Dhe e them me bindje: News24 nuk do të vdesë. Ne nuk do të dorëzohemi. Për aq kohë sa ka gazetarë që nuk heshtin dhe qytetarë që kërkojnë të vërtetën, zëri ynë do të dëgjohet. Dhe sot, ky zë është më i fortë se kurrë.