Në sallën e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak të Vlorës po zhvillohet diskutimi mbi buxhetin e vitit 2026, ku fokusi kryesor është vendosur te investimet infrastrukturore.
Mësohet se ndër çështjet më thelbësore që po trajtohen janë rehabilitimi i disa blloqeve të banimit, të parashikuara si pjesë e investimeve të reja, si dhe menaxhimi i mbetjeve urbane. Ky sektor cilësohet si një nga problematikat kryesore të qytetit, ndaj buxheti parashikon fonde për rritjen e cilësisë së pastrimit dhe përmirësimin e shërbimit.
Po ashtu, po diskutohen ndryshime në strukturën organizative të Bashkisë së Vlorës, që përfshijnë shtim të numrit të punonjësve dhe rritje pagash për disa institucione. Një tjetër pikë e rëndësishme është riorganizimi i disa ndërmarrjeve bashkiake, të cilat pritet të bashkohen me qëllim rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Në rendin e ditës është edhe sigurimi i fondeve për funksionimin dhe përmbushjen e kritereve të landfillit të Sherishtës, si dhe alokimi i buxhetit për kapsulimin e fushës së mbetjeve. Paralelisht, po shqyrtohen edhe të ardhurat e buxhetit dhe mënyra e shpërndarjes së tyre për vitin e ardhshëm.

