Katër gurë të çmuar në mozaikun e Durrësit

Nga BUJAR QESJA, Mjeshtër i Madh

Në Durrës ka shumë rrugë, sheshe dhe ambiente publike ku njerëzit takohen, bisedojnë, përkujtojnë e ringjallin të shkuarën. Por disa nga këto takime, sado të thjeshta të duken, janë si gurë themeli në mozaikun e qytetit. Një tryezë kafeje, katër karrige, katër burra që nuk janë më vetëm individë, por histori e gjallë e qytetit të lashtë, bartës të përvojave, të kujtesës dhe të vlerave.

Diku në qendër të qytetit, ku tingujt e detit përzihen me zhurmën e përditshme të kalimtarëve, katër burra të bardhëruar nga vitet por jo nga kujtesa, janë ulur pranë një tryeze të rrumbullakët. Para tyre gota uji, filxhanë kafeje, paketë cigare e lënë mënjanë, ndërsa mbi fytyrat u lexohet buzëqeshja e qetë, që flet më shumë se çdo fjalë. Është fotografia e miqësisë së gjatë, e shoqërisë e cila ka kaluar përmes dekadave, e kolegjialitetit që nuk është shuar as nga koha, as nga distanca.

Petro Luarasi, Jani Riza, Alqi Gjika dhe Dimitrov Gjeçi. Katër emra që përshkruajnë katër profile, katër jetë të jetuara me dinjitet, katër rrugë që ndoshta kanë ecur paralel, por në thelb kanë pikëtakimi të përjetshëm: dashurinë për Durrësin, për edukimin, për qytetarinë.

Katër emra që për ata që e njohin Durrësin, për ata të cilët kanë kaluar bankat e shkollës “Gjergj Kastrioti”, për ata që e kanë ndjekur sportin dhe edukimin qytetar, nuk janë thjesht individë, por gurë të çmuar në mozaikun e kujtesës durrsake.

Qytet që rrit njerëz me vlera

Durrësi, ky qytet i vjetër sa vetë historia e kombit tonë, ka nxjerrë gjithmonë burra dhe gra që kanë ditur të lënë gjurmë në kulturë, arsim, sport e jetë qytetare. Nuk është rastësi që edhe këta katër miq u formësuan pikërisht në këtë truall, mes lagjeve që ruajnë aromën e detit, mes shkollave ku edukata dhe dija u bënë pjesë e përditshme, mes familjeve që dinin të përcillnin brez pas brezi virtytin, nderin, punën dhe dashurinë për dijen.

Ata janë bij të familjeve qytetare durrsake, të rritur me normat e moralit të pastër, me respekt për tjetrin dhe me përulësi ndaj profesionit. Në fytyrat e tyre lexon jetë të tërë të lidhur me njerëz, me nxënës, me miq e kolegë. Dhe fotografia ku janë ulur bashkë është dëshmi e thjeshtë, por e thellë. Durrësi nuk harron bijtë e vet dhe bijtë e Durrësit, nuk harruan kurrë njëri-tjetrin.

Petro Luarasi njeriu që ndërthurte shkencën dhe drejtimin

Petro Luarasi, drejtues i gjimnazit “Gjergj Kastrioti” për disa vite, është profili i njeriut që e lidhi jetën me shkencën dhe edukimin. I diplomuar në bio-kimi, solli në shkollë frymë të re, duke e parë mësimdhënien jo vetëm si detyrë, por si mision.

Nxënësit kujtojnë qetësinë, saktësinë e fjalës, mënyrën se si dinte të gjente urën mes teorisë dhe jetës së përditshme. Petroja qe më shumë se mësues. Ishte udhërrëfyes. Prej shumë vitesh jeton në Amerikë, por Durrësi nuk e ka humbur asnjëherë. E mban me vete si kujtim të gjallë dhe kthehet gjithmonë për të rishijuar atë ajër, që vetëm qyteti i lindjes mund t’ia japë.

Petro Luarasi, nuk ishte vetëm specialist i shkencës, por edhe drejtues i respektuar. Në krye të gjimnazit “Gjergj Kastrioti”, solli jo thjesht menaxhim, por kulturë. Ishte prej atyre drejtorëve, që nuk e shihnin karrigen si privilegj, por si përgjegjësi. Luarasi mbeti njeriu që së pari dëgjoi, mësoi, e mbi këtë bazë kuptoi dhe përdori saktësinë e drejtimit.

Ndonëse në Amerikë, mbeti gjithmonë i lidhur me qytetin, me miqtë, me kujtimet. Nëpërmjet figurës së Petros, shohim qytetarin e vërtetë durrsak, të përkushtuar ndaj dijes, me horizont të gjerë, me vlera që nuk zbehen nga koha.

Jani Riza mësuesi që formoi mendjet e sakta

Matematika dhe fizika nuk janë thjesht lëndë shkollore. Janë mënyra të të menduarit, ushqim për logjikën, udhërrëfyes për ata që kërkojnë të kuptojnë shkencën e natyrës dhe të jetës. Në Durrës për shumë dekada, ky udhërrëfyes ka qenë Jani Riza. Statura e tij përfaqëson shkencën e saktë, numrat dhe ligjet e natyrës, por edhe urtësinë e njeriut që di të shpjegojë të vështirën me thjeshtësi.

Nxënësit nuk harrojnë, jo vetëm për orët e shumta në dërrasë të zezë, por edhe për kujdesin njerëzor, për qetësinë e tij të admirueshme. Jani Riza është prej atyre mësuesve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Aty ku kalon, njerëzit e përshëndesin me respekt, sepse nuk ka fshesë kohe që ta largojë nga memoria e qytetit. Mbetet prej shtyllave të edukimit durrsak, njeri i ndershëm dhe qytetar shembullor.

Matematika dhe fizika nuk janë thjesht lëndë shkollore. Janë mënyra të të menduarit, ushqim për logjikën, udhërrëfyes për ata që kërkojnë të kuptojnë shkencat ekzakte. Dhe në Durrës, për shumë dekada, ky udhërrëfyes ka qenë Jani Riza.

Me durim të admirueshëm, me metodë të thjeshtë por të thellë, Jani ka formuar mijëra nxënës, duke i mësuar jo vetëm formulat dhe teoritë, por edhe respektin për punën, korrektësinë, dashurinë për të vërtetën. Nxënësit të shpërndarë në Shqipëri e më gjerë, e kujtojnë me respekt të veçantë. Shumë prej tyre janë bërë inxhinierë, mjekë, arkitektë, dhe gjithmonë thonë: “Kemi pasur fatin të kemi Jani Rizën mësues.”

Figura e tij është urë mes brezave, simbol i njeriut që nuk u lodh kurrë së shpjeguari, së udhëzuari, së frymëzuari. Riza mbetet emër që do të kujtohet gjatë, sepse vlerat e vërteta koha i ridimensionon.

Alqi Gjika zemra e sportit dhe qytetarisë

Në fushën e volejbollit, Alqi Gjika është emër që nuk ka nevojë për prezantim. Ka qenë pjesë e ekipit kombëtar. Luajti me “Partizanin” dhe me “Lokomotivën”. Karriera sportive u shoqërua me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”. Përveç sportist i madh, Gjika ishte edhe mësues i fiskulturës, që me pasion të pashuar transmetoi dashurinë për sportin tek të rinjtë.

Shumë breza durrsakësh, i kanë mësuar hapat e parë të volejbollit nën drejtimin e tij, duke trashëguar jo vetëm teknikën, por edhe vullnetin për lojën. Alqi Gjika mbetet simbol i energjisë, i disiplinës dhe i pasionit, portret që e lidh sportin me edukatën qytetare.
Alqi Gjika është mishërim i disiplinës sportive, i karakterit të fortë, i ndershmërisë qytetare.

Shumë djem e vajza që e kanë pasur mësues, e kujtojnë për fjalën e drejtë, për shembullin që jepte, për energjinë që e shndërronte orën e fiskulturës në festë lëvizjeje. Në profilin e tij bashkohen sporti dhe qytetaria, loja dhe karakteri, suksesi dhe përulësia.

Dimitrov Gjeçi edukatori i trupit dhe mjeshtri i gjeneratave të atletikës

Dimitrov Gjeçi, është njeriu që lidhi jetën me edukimin fizik dhe sportin. Fillimisht dha mësim në shkollën e mesme të përgjithshme “Naim Frashëri” dhe më pas lëndën ushtarake në “Gjergj Kastrioti”. E mbylli karrierën në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia”.

Trajner atletike, pedagog i përkushtuar, njeri që e kuptonte rëndësinë e sportit jo vetëm për trupin, por edhe për karakterin e të rinjve. Me qetësi, me vendosmëri, me kulturë qytetare, Dimitrovi ka qenë pjesë e formimit të shumë brezave durrsakë, që sot kujtojnë me mirënjohje figurën e tij.

Dimitrovi mbetet shembull i vendosmërisë dhe i thjeshtësisë. Ishte prej atyre mësuesve që dinin të bënin dallimin mes rreptësisë dhe dashurisë, mes disiplinës dhe humanizmit. Nxënësit nuk e harrojnë kurrë, sepse nuk u dha vetëm dije, por edhe jetë, frymëzim, besim në vetvete.

Miqësi që sfidon kohën

Kur i sheh bashkë, në këtë fotografi të thjeshtë por të paharrueshme, nuk sheh vetëm katër miq që pijnë kafe. Sheh pjesë të historisë së qytetit. Sheh katër qytetarë që kanë dhënë më të mirën e tyre për arsim, për sport, për edukim. Sheh Durrësin e viteve të rinisë së tyre, Durrësin e arsimimit, të punës, të sportit, të qytetarisë. Sheh katër familje të ndershme, me trashëgimtarë të denjë, që e mbajnë mbi supe dinjitetin durrsak.

Koha mund të ndryshojë gjithçka, por jo shpirtin e miqësisë. Ata që janë rritur e punuar bashkë, ata që kanë ndarë vitet e arsimimit dhe punës në një shkollë si “Gjergj Kastrioti”, mbeten përgjithmonë të lidhur me fill të padukshëm. Ky fill është besimi, respekti, dashuria për njeri-tjetrin dhe për qytetin.

Brezat mund të ndryshojnë, koha mund të rrjedhë, por lidhjet që krijohen mbi vlera të vërteta nuk shuhen. Ata janë dëshmi se mësuesit nuk i soset historia, sepse jeton në kujtimet e nxënësve. Sportisti nuk harrohet kurrë, sepse jeton në frymëzimin që u jep të rinjve. Qytetari i vërtetë nuk shuhet, sepse qyteti e mban gjithmonë në gojë, me respekt dhe dashuri.

Qyteti i Durrësit ka shumë gurë të çmuar në mozaikun e tij. Katërshja Petro Luarasi, Jani Riza, Alqi Gjika dhe Dimitrov Gjeçi janë prej atyre gurëve që nuk humbasin kurrë shkëlqimin.

Foto e shpirtit

Kjo foto është mall i përbashkët, kujtim i gjallë, poezi e thjeshtë e jetës qytetare. Është dritare ku shohim jo vetëm katër individë, por epokë të tërë. Është epoka ku mësuesit dhe sportistët ishin heronj të heshtur, edukatorë të brezave, themelues të moralit dhe qytetarisë.

Në këtë tryezë nuk janë vetëm Petro, Jani, Alqi dhe Dimitrovi. Është i gjithë Durrësi që i rrethon me dashuri. Është e gjithë historia e qytetit që i ruan në kujtesë si pasuri të vyera. Është mirënjohja e nxënësve, është respekti i bashkëqytetarëve, është dashuria e familjeve të tyre.

Dhe kështu, katërshja e miqësisë, e ulur në një kafe durrsake, kthehet në simbol qytetarie. Sepse qyteti nuk është vetëm ndërtesa dhe rrugët. Qyteti është kujtesa e gjallë, janë njerëzit që e bëjnë atë të ketë shpirt. Dhe këta katër miq, me jetën e tyre, me miqësinë e tyre, me qytetarinë e tyre, janë vetë fryma e Durrësit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME