Katër alpinistë francezë humbin orientimin në malin e Shebenikut, një telefonatë alarmi në qendrën e administratës së zonave të mbrojtura të Elbasanit bëhet shpëtim i tyre

Nga Fatmir Popja

Katër alpinistë francezë kishin humbur kontaktet me grupin e tyre gjatë një ecjeje në malin e Shebenikut në vendin e quajtur “Maja e Gurit”, 1848 metra mbi nivelin e detit, në Parkun Kombëtar “Shebenik.

Mungesa e një guide, errësira e natës, lodhja dhe pylli i dendur, kishin kthyer një aventurë të alpinistëve francezë në një rrezik të vërtetë.

Pa humbur kohë me të marrë një telefonatë urgjente, Gent Gjini, inspektor i Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan dhe njohës i jashtëzakonshëm i këtij parku malor, vendos të niset në kërkim. Ai nuk është nisur i vetëm.

Banorë të zonës, njerëz me zemër të madhe dhe një lidhje të trashëguar me natyrën përreth, i bashkohen misionit të shpëtimit menjëherë. Për Genti Gjinin, kjo nuk ishte thjesht një detyrë profesionale. Ishte një thirrje njerëzore, një mision shpëtimi që nuk mund të priste mëngjesin.

Në orët e vona të natës, me vetëm dritën e balloreve, me zemrat në ankth, ata ngjiten nëpër shtigje të egra dhe shkurre të dendur, në një mal që edhe për vendasit është sfidues në errësirë.

Pas më shumë se 5 orësh ecje të mundimshme, në afërsi të fshatit të vjetër Llangë, pranë zonës turistike të Fushë-Studenit, dëgjohen zëra të frikësuar.

Katër alpinistët francezë janë gjendur të rraskapitur, të lagur, të trembur, por fatmirësisht të gjallë dhe pa probleme të rënda shëndetësore.

Ata u përqafuan me shpëtimtarët e tyre,i falenderuan mes lotësh dhe më në fund u ndjenë të sigurt. Alpinistët, turistë, që kishin nisur ngjitjen pa një udhërrëfyes vendas, rrëfyen më vonë se e kishin nënvlerësuar terrenin.

Pasi arritën në majë, zgjodhën një shteg të panjohur për të zbritur, të mbështetur vetëm te hartat e telefonave. Por malet shqiptare nuk janë shtigje të Google Maps.

Sapo errësira ra,çdo orientim u bë i pamundur dhe terreni i thepisur e i egër e përkeqësoi më tej situatën.

Në vend të kthimit në Fushë-Studen, ata ishin futur në një zonë të panjohur dhe rrezikuan të kalonin natën në pyll, pa ndihmë, pa ujë, pa drita dhe nën rrezikun e kafshëve të egra.

Pas shpëtimit, alpinistët,turistë morën ndihmën e parë mjekësore nga strukturat vendore dhe u rikuperuan shpejt. Këtë të premte, tashmë të qetë dhe të rifuqizuar, falënderuan publikisht inspektorin Gent Gjini dhe banorët e Fushë Studen që u dolën në ndihmë pa asnjë mëdyshje.

Ata shprehën pendesë që nuk kishin marrë një udhërrëfyes vendas dhe u zotuan të ndajnë këtë përvojë me të gjithë, jo për t’u trembur nga natyra shqiptare, por për ta respektuar atë dhe njerëzit që e njohin e mbrojnë.

Ky episod është një thirrje për të gjithë dashamirësit e natyrës dhe aventurës që vizitojnë Shqipërinë. Malet nuk janë vetëm bukuri, janë edhe përgjegjësi. Nuk mjafton një aplikacion, një hartë apo një foto në rrjetet sociale për të përballuar shtigje që kërkojnë njohuri, përvojë dhe mbi të gjitha, udhërrëfyes vendas.

Ngjarje si kjo nuk bëjnë gjithmonë bujë, por janë pasqyra më e pastër e shpirtit shqiptar,mikpritës, i palodhur dhe i gatshëm të ndihmojë pa kthim. Gent Gjini dhe banorët e zonës së Fushë Studen nuk bënë një akt heroik për t’u lavdëruar.

Ata e bënë sepse “kështu jemi rritur”, siç thonë vetë ata me ndjenjën e detyrës ndaj mbrojtjes së jetës dhe natyrës.Ata mbrojnë jo vetëm një pasuri kombëtare sikurse është Parku Kombëtar i Shebenikut, mbrojnë jetët njerëzore dhe të gjithçkaje ndodhet aty.Aventura e katër alpinistëve ,turistë nga Franca, ndonëse me rrezik, përfundoi me një mësim që do ta mbajnë mend gjatë.

Në Shqipëri, natyra është e egër, por zemrat janë të buta. Le të mos harrojmë, pas çdo rruge të humbur, një dorë shqiptare është gati të ndihmojë. Gent Gjini dhe banorët e Fushë Studen e treguan këtë prag fundjave këtë cilësi të çmuar dhe do ta tregojnë gjithmonë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME