Javët e fundit në Kategorinë e Parë po sjellin lëvizje të forta në zonën e kreut, dhe ndeshjet e sotme e konfirmuan plotësisht këtë ritëm. Në sfidat e zhvilluara, bie në sy se dy rivalët kryesorë të Skënderbeut u ndalën, duke i dhënë më shumë qetësi korçarëve në krye të renditjes.
Laçi doli me vështirësi nga përballja me Kastriotin, duke barazuar 2–2 pasi u pa dy herë në disavantazh. Traore shpëtoi kurbinasit në minutat e fundit, duke shmangur humbjen dhe duke siguruar një pikë të çmuar në garën për vendet e larta.
Një tjetër barazim erdhi mes Pogradecit dhe Ilirisë. Sfida u tensionua në minutat e fundit për shkak të kartonëve të kuq (dy për vendasit dhe një për miqtë), por përfundoi pa gola, me të dyja skuadrat që mbetën brenda objektivave të tyre.
Ndërkohë, Apolonia ishte skuadra që përfitoi më shumë nga rezultatet e ditës. Fitore 2–0 ndaj Luftëtarit në transfertë i ngjiti fierakët në vendin e katërt, duke rihapur plotësisht garën në zonën e “play off”-it. Po me të njëjtin rezultat fitoi edhe Kukësi, që mposhti Burrelin falë dy golave të vonë, duke ringjallur shpresat për mbijetesë.
Në total, tetë gola u shënuan në sfidat e zhvilluara në orën 13:30. Ndërkohë, një ditë më parë fituan Besa dhe Skënderbeu, me këta të fundit që vazhdojnë marshimin pa rival drejt Superiores. Korçarët kryesojnë me 11 pikë më shumë se Laçi, i cili aktualisht po lufton në distancë me Pogradecin – diferenca mes tyre është vetëm një pikë. Gjithashtu mbetet e hapur gara për pozicionet e “play off”-it, që po sjell çdo javë lëvizje të reja.

Rezultatet e ditës
- Pogradeci 0–0 Iliria
- Luftëtari 0–2 Apolonia
- Kukësi 2–0 Burreli
- Kastrioti 2–2 Laçi



