Zyrtarët portugezë konfirmuan se këputja e kabllos lidhëse mes dy vagonëve ishte shkaku kryesor i aksidentit të tramvajit “Gloria” në Lisbonë, ku humbën jetën 16 persona dhe rreth 20 të tjerë u lënduan.
Sipas raportit të parë, pas vetëm gjashtë metrash udhëtim, kabinat “papritmas humbën fuqinë ekuilibruese të kabllos lidhëse”.
Autoritetet bëjnë të ditur se sistemi i sigurisë reagoi menjëherë duke aktivizuar frenat, por këto masa nuk patën efekt, dhe vagoni vazhdoi të përshpejtonte në mënyrë të pakontrolluar, duke dalë nga shinat me shpejtësi rreth 60 km/orë dhe u përplas në një ndërtesë brenda më pak se 50 sekondash.
Hetuesit theksuan se mekanizmat e tjerë ishin funksionalë dhe një inspektim rutinë ishte kryer në mëngjesin e ditës së aksidentit. Megjithatë, defekti që çoi në këputjen e kabllos nuk mund të vërehej pa çmontuar pajisjet.
Ky aksident tragjik ka ngritur pyetje mbi sigurinë e linjës së tramvajit dhe procedurat e mirëmbajtjes së pajisjeve.