Derbi i parë i Italisë për sezonin 2025/26 dhuroi një spektakël të jashtëzakonshëm dhe emocione deri në sekondat e fundit. Juventus triumfoi ndaj Interit me rezultatin 4-3 në Torino, në një sfidë ku u shënuan tre gola spektakolarë dhe ku dy vëllezër arritën të tundin rrjetën.
Sfida nisi me ritëm të lartë: vetëm në minutën e 14’, Kelly kaloi Juven në avantazh. Por Interi nuk vonoi të përgjigjej; Hakan Calhanoglu realizoi një goditje të fuqishme nga jashtë zonës për të barazuar shifrat 1-1. Pjesa e parë u mbyll me një tjetër supergol nga ylli i ri i Juventusit, Kenan Yildiz, i cili riktheu avantazhin në 2-1.
Pjesa e dytë solli shpërthime të reja emocionesh. Calhanoglu shënoi sërish në minutën e 65’, duke barazuar rezultatin në 2-2. Pak minuta më vonë, Marcus Thuram i dha avantazhin Interit me golin e tij për 2-3. Por emocionet nuk përfunduan këtu: në minutën e 83’, vëllai i tij, Khéphren Thuram, barazoi shifrat 3-3 pas një aksioni të mrekullueshëm të Yildiz, duke bërë derbin edhe më special.
Në sekondat e fundit të ndeshjes, Adzic, që sapo ishte futur nga stoli, shënoi golin vendimtar për Juventusin, duke vulosur fitoren 4-3.
Pas tre javësh, Juventus kryeson tabelën me 9 pikë të plota, ndërsa Interi ka mbetur me tre pikë.
Rezultati final:
Juventus 4-3 Inter
Golat: Kelly 14’, Yildiz 38’, K. Thuram 83’, Adzic 90+1’ / Calhanoglu 30’, 65’, M. Thuram 76’