Nga: Matilda Kurti
Më tërhoqi vëmendjen një lajm i qarkulluar së fundmi për Bashkinë e Librazhdit ku duket se hedh tezën që të mund të shkaktojë debat:
“300 mijë euro për të parë yjet me teleskop”.
Titujt e tillë sensacionalë mund të ndezin zemërimin e qytetarëve, por nëse ndalemi një çast për të kuptuar për çfarë bëhet fjalë, e shohim që nuk kemi të bëjmë me lajthitje, por me një përpjekje për zhvillim.
Projekti i quajtur “Park aventuresk me observator astronomik” është përqeshur në rrjet si luks në mes të varfërisë.
Por në të vërtetë, një park i tillë nuk është për “të parë yjet nga kureshtja”, apo ideja që skemi bukë e shohim yjet, por për të parë mundësitë e reja që vijnë nga bashkimi i natyrës, shkencës dhe turizmit për një zhvillim ekonomik. Nëse dikur fëmijët e Librazhdit mësonin për planete vetëm nga librat, tani mund t’i shohin përmes një teleskopi. Dhe kjo ka vlerë më shumë se një artikull që kërkon klikime duke mbjellë pakënaqësi.
Argumenti “pse teleskop kur s’ka rrugë” është i njohur në Shqipëri tashmë. Me këtë logjikë, asnjë vend i varfër nuk do të kishte bërë kurrë muze, qendra kulturore apo parqe, dhe nuk nuk do kishte trasformuar ekonominë nëpërmet turizmit.. Zhvillimi nuk vjen vetëm duke hapur kanale dhe shtruar rrugë — vjen edhe duke hapur horizonte.
Librazhdi nuk mund të mbetet peng i varfërisë së vet, por duhet të kërkojë mënyra të reja për të dalë prej saj. Dhe turizmi, arsimi dhe ekoturizmi janë ndër rrugët më të mençura për ta arritur këtë.
Nga ana tjetër, edhe shifra që paraqitet në artikull është shpërdoruar në perceptim. “300 milionë lekë të vjetra” duken shumë, por në të vërtetë janë vetëm 30 milionë lekë të reja — rreth 300 mijë euro. Për një projekt që përfshin ndërtim infrastrukture, pajisje astronomike dhe elementë rekreativë si zip-line apo ballkon panoramik, kjo shumë është më shumë se modeste. Të përpiqesh ta shesësh si “skandal” është të luash me ndjenjat e publikut, jo me faktet.
Ka edhe një tjetër element që artikulli e anashkalon me qëllim.
Shumë nga këto projekte financohen nga fondet e BE-së apo programet e zhvillimit rajonal. Këto fonde janë të destinuara për turizëm, kulturë apo edukim, dhe nuk mund të shpenzohen për rrugë, ujësjellësa apo kanalizime. Pra, nuk është “kokëfortësia e kryetarit” ajo që vendos destinacionin e parave, por vetë natyra e grantit. Kështu që, para se të akuzojmë për lajthitje, duhet të kuptojmë mekanizmin e financimit. Madje të jemi përgjegjës për atë që flasim.
Në fakt, një observator në një qytet si Librazhdi mund të kthehet në simbol të përparimit. Ai mund të shërbejë për edukim të fëmijëve, për trajnime, për kampe verore shkencore, për tërheqje turistike dhe për imazh pozitiv të bashkisë.
Një teleskop që shikon yjet është shumë më pak i shtrenjtë se varfëria që s’na lë të shohim përtej baltës. Dhe pikërisht këtë po përpiqet të thyejë ky projekt.
Në vend që të qortojmë një bashki që kërkon të mendojë ndryshe, ndoshta duhet ta inkurajojmë. Sepse ndonjëherë zhvillimi fillon pikërisht nga një ide që duket “e çuditshme”. Po të mendonim gjithmonë vetëm për baltën, kurrë s’do të kishim parë dritë.
Në fund të fundit, është më mirë të kesh një bashki që sheh yjet, sesa një që s’e sheh dot më as dritën.