Sheshi “Italia” u mbush mbrëmë me të rinj që kënduan nën ritmet e muzikës kazake.
Koncerti i Adam, një ndër emrat më të njohur të muzikës, në Kazakistan, çeli Javën Kulturore të Kazakistanit.
Ylli i madh i muzikës kazake dhe botërore, Adam solli në skenën e ngritur në shesh, energjinë dhe ritmet moderne që ndezin çdo performancë. Pjesë e eventit ishte dhe Ansambli “Turan”, ambasadorë të kulturës turkic, që përmes tingujve dhe instrumenteve tradicionale sjellin artin dhe emocionet e Azisë Qendrore.
Muzika e Adam ka miliona dëgjues në mbarë botën. Vetëm kënga e tij, “Zhurek”, ka mbledhur mbi tre miliardë shikime ne platformat online.
Dashamirësit e artit dhe kulturës mundën ta ndiqnin pa pagesë këtë koncert.
Në vijim të programit, më 20 dhe 21 tetor, në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë, do të zhvillohen Ditët e Kinemasë Kazake, ku do të shfaqen tre filma të përzgjedhur nga shtëpia filmike Kazakhfilm. Filmat “Myn Bala: Warriors of the Steppe”, “Operation Nabat” dhe “Amre”, do të ofrojnë një udhëtim emocionues përmes historisë, kulturës dhe jetës artistike të Kazakistanit. I pranishëm në këtë ngjarje do të jetë edhe Khajibayev Bakhyt, i shpallur si aktori më i mirë për vitin 2025 në Kinë.
Java Kulturore e Kazakistanit, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, synon të ndërtojë ura të reja bashkëpunimi dhe miqësie mes popujve shqiptar dhe kazak.