Ivan Gvozdenoviç: “AF Elbasani gati për betejën me Egnatian, kualifikimi për në finale për Kupën e Shqipërisë do të vuloset në shtëpi”

AF Elbasani zbret nesër në stadiumin Arena Egnatia në Rrogozhinë për të përballuar Egnatian në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, në një sfidë që pritet të jetë vendimtare për fatet e sezonit të verdhebluve. Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka dalë para mediave me një mesazh të qartë besimi dhe optimizmi, duke theksuar se skuadra e tij është plotësisht e përgatitur për këtë përballje.

Tekniku i AF Elbasanit e cilëson Kupën si një objektiv madhor për ekipin, duke nënvizuar se verdheblutë janë të vendosur për të shkuar deri në fund të këtij kompeticioni. Sipas tij, edhe pse përballë kanë kampionët në fuqi, skuadra e tij ka treguar gjatë këtij sezoni se di si t’i përballojë sfidat e mëdha.

Gvozdenoviç u ndal edhe te humbja e fundit në kampionat ndaj Dinamos, duke theksuar se ajo nuk do të ndikojë aspak në ndeshjen e Kupës. “Është një kompeticion tjetër dhe çdo ndeshje ka historinë e saj”, është shprehur ai, duke kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët e tij.

Pavarësisht mungesave të shumta për shkak dëmtimesh, trajneri serb shfaqet i bindur se Elbasani ka forcën dhe thellësinë për të luftuar njëkohësisht në të dyja frontet, kampionat dhe Kupë. Ai beson se grupi ka karakter dhe cilësi për të përballuar ngarkesën dhe për të arritur rezultate pozitive.Sa i përket përballjes së parë në Rrogozhinë, objektivi i qartë i Elbasanit është të dalë me një rezultat pozitiv, që do t’i japë avantazh për ndeshjen e kthimit në shtëpi.

Jo më kot, këtë sezon verdheblutë nuk janë mposhtur asnjëherë nga Egnatia në kampionat, një statistikë që rrit edhe më shumë besimin në kampin elbasanas.

Me sytë nga finalja, Gvozdenoviç dhe të besuarit e tij janë gati të japin gjithçka në fushë për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt trofeut të Kupës së Shqipërisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME