Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka folur në “Euronews Albania” në lidhje me urdhrin e Sali Berishës për të mos marrë pjesë në protestën mbështetëse për ish-krerët e UÇK-së në qendër të Tiranës.
Fatmir Mediu, aleat i PD-së së bashku me deputetë të tjerë opozitarë morën pjesë në këtë protestë duke shkelur urdhrin e kryedemokratit. Fatmir Mediu u shpreh se mori pjesë në protestë për shkak të njohjes personale që ka me drejtues të UÇK-së.
“Kam qenë i angazhuar me ta, gjatë luftës, dhe në aktivitete që janë bërë. Kam raport personal, me disa prej tyre edhe familjarë, përfshirë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Krasniqin apo dhe Selimin. Shkova që të shpreh solidaritetin tim që është tërësisht jashtë çdo standardi të një drejtësie normale me atë që po zhvillohet në Hagë, që nuk ka asnjë lidhje nga pikëpamja institucionale kushtetuese me shtetin e Kosovës apo me juridiksionin për drejtësinë ndërkombëtare.
Në detyrën si politikan, e thashë në Kuvend, do ishte e rëndësishme që Kuvendi të mos flasë me pjesëmarrje në shesh por me veprime konkrete. Genocidi serb ndaj Kosovës, po transformohet në dhunë apo krime të UÇK karshi popullsisë serbe.
Kjo është servirur nga shërbimet ruse apo dokumenteve zyrtare të Serbisë. Qëndrimi i Kuvendit të Shqipërisë, sidomos pas kërkesës së Kuvendit të Kosovës sa i përket genocidit, është mjaft i rëndësishëm dhe shqiptarët duhet të jenë bashkë për atë që ka ndodh në Kosovë. Shqiptarët duhet të përcaktojnë qartë se kë kanë kundërshtar të tyre.”-tha Mediu.
I pyetur se pse nuk u mor ky mesazh edhe tek opozita e madhe, Fatmir Mediu u shpreh se ka folur personalisht me kryedemokratin Sali Berisha, ndërsa theksoi se ka marrë mirëkuptimin e tij për të marrë pjesë në protestë.
“Qëndrimi i Berishës kishte të bënte me faktin që politizimi i atij manifestimi nuk do t’i shërbente procesit në Hagë, dhe nga kjo pikëpamje besoj se ka të drejtë. Nga ana tjetër, pjesëmarrja si qytetarë e deputetëve të opozitës, duhet të ishte diçka që duhet të ksihte ndodhur. Kam parë shumë figura të PD-së në atë miting.”-tha Mediu.