Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tepelenën në orët e para të mëngjesit të sotëm. Një shtetas italian, 44 vjeç, me banim në Tiranë, është gjetur pa shenja jete në fshatin Salari, në zonën e njohur si “Dilan”. Dyshohet se ai është ekzekutuar me armë zjarri.
Sipas Policisë së Shtetit, trupi i pajetë u gjet rreth orës 00:30 pranë një rruge rurale. Menjëherë pas njoftimit, forcat e rendit mbërritën në vendngjarje dhe ngritën një grup të posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë. Hetimet po zhvillohen për të zbardhur rrethanat, për të dokumentuar ligjërisht ngjarjen dhe për të identifikuar autorin apo autorët e dyshuar.
Forca të Drejtorive Vendore të Policisë Fier dhe Vlorë janë angazhuar në terren, duke kryer kontrolle të zgjeruara në zonë dhe në disa ambiente të dyshuara. Ende nuk ka të dhëna mbi motivet e krimit, ndërsa Policia ka bërë apel për bashkëpunim nga qytetarët. Hetimet vijojnë intensivisht.