Ish deputeti socialist Petro Koçi: “Po shkatërrohen vlerat morale të një organizate të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare

Një reagim i fortë dhe thellësisht i indinjuar ka ardhur nga ish-deputeti socialist Petro Koçi, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ngre alarmin për gjendjen e rëndë morale dhe organizative në Organizatën e Veteranëve të LANÇ-it, një strukturë që mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

“Si mund të ndodhin fenomene të tilla indinjuese dhe poshtëruese në një organizatë që përfaqëson vlera kombëtare?”, pyet Koçi, duke e cilësuar situatën si një “spektakël të shëmtuar turpi”, ku janë shkelur parimet themelore morale dhe statutore.

Sipas tij, gjithçka nisi pas ndarjes nga jeta të ish-kryetarit Porodini, moment që shënoi edhe fillimin e përçarjes së thellë brenda organizatës. Ish-nënkryetarë dhe anëtarë të Komitetit u përjashtuan, u ndërruan bravat e zyrave, u përdor polici private për mbledhjet e forumeve dhe nisën procese gjyqësore e sulme personale ,praktika që, sipas Koçit, nuk kishin ndodhur kurrë më parë.

Ai ngre shqetësimin se lufta për karriget drejtuese dhe për financimin shtetëror prej rreth 2 milionë lekësh të reja ka degraduar organizatën në këtë gjendje. Madje, sipas tij, ka pasur raste të përfshirjes së personelit administrativ në forumet vendimmarrëse, në konflikt të hapur interesi, si dhe përhapje thashethemesh për “grupe armiqësore” që gjoja po përçanin organizatën.

Koçi shprehet se ka propozuar figura bashkuese si Shaqir Vukaj dhe më pas Prof. Hulusiu, por përpjekjet për unitet nuk janë dëgjuar. Ai kritikon edhe qëndrimin indiferent të Partisë Socialiste, e cila sipas tij, mund dhe duhej të luante një rol këshillues e bashkues në këtë situatë delikate.

Në thirrjen e tij publike, ish-deputeti thekson se zgjidhja e vetme është reflektimi i thellë dhe rikthimi tek statuti, duke ndalur përjashtimet, pezullimet dhe praktikat që ai i quan “policore dhe berishiane”.

“Përjashtimi është përçarje, ndërsa përfshirja sjell unitet”, thekson Koçi, duke kërkuar angazhimin e mendjeve akademike dhe figurave të respektuara që e duan LANÇ-in, si Ksenofon Krisafi, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa e të tjerë.

Në përfundim, Petro Koçi shpreh hidhërimin e tij të thellë për atë që po sheh dhe bën një apel të qartë:
“Duhet urtësi dhe jo rrëmbim pushteti. Duhet bashkim dhe jo përjashtim.”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME