Iran 2025 – Këndvështrim nga Shqipëria

Nga Arjan Starova

Ashtu si i gjithë opinioni publik i Lindjes së Mesme dhe thuajse e gjithë bota, edhe shqiptarët e interesuar i përcollën me vëmendje dhe shqetësim ngjarjet që shoqëruan konfliktin e fundit të armatosur Izrael-Iran të qershorit të kaluar. Rrënjët e këtij konflikti janë të vjetra në kohë, por konflikti i fundit lidhet me rritjen e mbështetjes së rregjimit teokratik (apo fetar) të Iranit për veprimet terroriste të grupimeve ushtarakë të Hamasit (në Palestinë) dhe të Hezbollahut (në Liban) kundër Izraelit.

Kjo gjendje e tensionuar u acarua edhe më shumë për shkak të vazhdimit të programit bërthamor të Iranit që synonte prodhimin e armëve bërthamore, një fakt i cili ishte jo vetëm i mbështetur nga shumë informacione të shërbimeve inteligjente por ishte edhe në shkelje të plotë të marrëveshjeve ndërkombëtare mbi mospërhapjen e armëve bërthamore. Informacionet e fundit të këtyre shërbimeve tregonin se programi bërthamor Iranian ishte shumë pranë realizimit të prodhimit të armës bërthamore.

Ndërkohë në Iran ekziston përgjatë shumë viteve edhe një lëvizje e fuqishme opozitare e cila herë-herë shfaqet hapur dhe me protesta të fuqishme si këto të vjetëve të fundit. Synimi themelor i kësaj lëvizjeje është ndryshimi i Republikës Islamike dhe themelimi i Republikës Demokratike të Iranit si shtet i ndarë nga feja në të cilin qytetarët e tij të mund të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre themelore të mbështetura nga një Kushtetutë e re. Kjo lëvizje është e mirëorganizuar dhe e shtrirë në të gjithë Iranin dhe jashtë tij nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit që drejtohet në mërgim nga Presidentja e tij, Zonja Maryam Rajavi. Dëshmi e dhimbëshme e kësaj rezistence është ekzekutimi i shumë veprimtarëve të saj të cilët gjatë gjithë këtyre viteve të pasrevolucionit islamik të vitit 1979, ka arritur shifrën e rreth 100 mijë njerëzve.

Vazhdimi i këtyre ekzekutimeve thuajse për çdo javë nga rregjimi islamik është dëshmi e fuqishme se ky rregjim është kthyer tashmë në armik të hapur të popullit të vet. Veprimtaria e dendur brenda dhe jashtë vendit e Opozitës iraniane dhe synimi ushtarak i programit bërthamor kanë bërë që rregjimi fetar diktatorial i Iranit të jetë i përfshirë keqas në dy kontradikta themelore, nga njera anë me popullin iranian dhe nga ana tjetër me bashkësinë ndërkombëtare, ligjin ndërkombëtar dhe synimet rajonale për paqe dhe siguri. Pas konfliktit ushtarak Izrael-Iran, ndërhyrjes së ShBA-së me bombardime kundër vendodhjeve të industrive të programit bërthamor të Iranit dhe deklaratave të rregjimit Iranian se ai do ta vazhdojë programin e tij bërthamor, duket se këto kontradikta këtej e tutje do të jenë të pakapërcyeshme për të. Tani duket se zgjidhja e këtyre kontradiktave mbetet vetëm ndryshimi i rregjimit fetar diktatorial të përfaqësuar nga Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei dhe Garda Revolucionare Islamike e cila është nën autoritetin absolut të tij.

Sot, peizazhi politik i Iranit karakterisohet nga trazirat shoqërore, përkeqësimi i gjendjes ekonomike (zhvlerësimi i monedhës së vendit), i shërbimeve publikë të njerëzve (mungesda e ujit dhe energjisë) dhe rritja e vazhdueshme e shtypjes qeveritare. Regjimi teokratik duket gjithnjë dhe më i brishtë se asnjëherë në këta vitet e fundit.
Qendrueshmëria e Republikës Islamike të Iranit duket ende e pacënuar nga ana e jashtme, por ajo ka marrë të çara nën peshën e konfliktit të brendshëm, trysnisë së jashtme dhe të një popullsie e cila vazhdon ta sfidojë legjitimitetin e saj të rremë. Jo vetëm populli iranian, por edhe vendet e rajonit të Lindjes së Mesme kanë prirje të mirëpresin një ndryshim të rregjimit në Iran të bindur nga përvoja negative thuajse pesëdhjetë vjeçare e politikës së brendëshme dhe të jashtme të ndjekur nga ky rregjim.
Zgjedhja e Presidentit Masoud Pezeshkian në vitin 2024, një njeri me prirje reformiste, i ringjalli përkohësisht shpresat për ndryshim të mundshëm politik nga lart, por tashmë edhe këto shpresa janë shuar.

Nëse pak më parë mund të flitej dhe shpresohej për një lloj përplasjeje institucionale ndërmjet presidencës dhe institucioneve të tjerë, tashmë me një Asamble Këshilluese të Iranit të sunduar nga konservatorët fetarë të vijës së ashpër presidenca e Pezeshkianit është sabotuar dhe kthyer në një institucion kryesisht ceremonial dhe pa asnjë pushtet real.

Pushteti i vërtetë është në duart e Udhëheqësit Suprem, tetëdhjetë e gjashtë vjeçarit Ayatollah Ali Khamenei, i cili vjetët e fundit është bërë edhe më autoritar i mbështetur fort nga Garda Revolucionare Islamike duke vazhduar të veprojë si qendra e vetme e vendimarrjes politike dhe ushtarake. Kjo gardë është një forcë e ashpër ushtarake dhe ideologjike e cila ka kontroll absolut mbi sigurinë, industrinë dhe politikën e jashtme. Pas konfliktit me Izraelin, kjo gardë e ka përforcuar sigurinë e brendëshme në dobi të ruajtjes së rregjimit duke rritur shtypjen ndaj Opozitës dhe çfarëdo disidence tjetër. Gjasat janë që të përforcohet edhe më tej pushteti ushtarak nën sundimin e njerëzve të vijës së ashpër dhe të Gardës Revolucionare Islamike.

Dhe megjithatë, lëvizja opozitare as nuk është ndalur dhe as trembur aspak nga këto masa shtrënguese. Kohët e fundit kjo lëvizje duket se po shfaqet edhe kundër një strategjie politike të rregjimit për ta kaluar pushtetin nga Ali Khamenei te Mojtaba Khamenei (djali i tij).
Irani tani ndodhet përpara një nevoje të ngutshme për ndryshim politik. Sado që rregjimi ka forcën ushtarake, kjo status quo politike nuk mund të vazhdojë gjatë.
Se cila do të jetë rruga që do të ndjekë lëvizja opozitare iraniane për të arritur një ndryshim rregjimi të domosdoshëm kjo ende mbetet për t’u parë.
Gjithsesi, mbështetja popullore dhe mbështetja politike e jashtme e Opozitës iraniane janë tregues të qartë se ndryshimi i rregjimit fetar është fare pranë.
Themelet e Republikës Islamike tashmë janë duke u tronditur çdo ditë.

* Autori është ish-Ministër i Punëve të Jashtme i Shqipërisë

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME