Klubi i futbollit Gramozi i Ersekës ka kaluar nën pronësinë e një grupi investitorësh italianë, duke hapur një kapitull të ri në historinë e futbollit lokal. Lajmi u bë i ditur zyrtarisht sot, ndërsa investitorët shprehen të vendosur për të kthyer Gramozin në një skuadër me rëndësi në futbollin shqiptar.
Njëri prej investitorëve, Gerardo Masucci, theksoi ambiciet e tij:
“Projekti ynë është ta rrisim skuadrën në resurse dhe njerëz. Do të sjellim lojtarë të huaj dhe synojmë ta çojmë Gramozin në Kategorinë Superiore. Deri tani, e sigurtë është se do të zhvillojmë një ndeshje bamirësie me Napolin, ndërsa synojmë ta sjellim skuadrën e njohur italiane në Ersekë.”
Kryetari i Bashkisë Kolonjë, Erion Isai, e sheh këtë investim si një mundësi të artë për zhvillimin ekonomik dhe sportiv të qytetit. Ai njoftoi se Erseka do të ketë një kompleks sportiv modern, ku do të stërviten edhe ekipe të njohura shqiptare.
“Ky investim sjell zhvillim ekonomik, turizëm dhe mundësi për akademitë sportive. Plani përfshin ndërtimin e një hoteli me të gjitha facilitetet që ekipet kërkojnë dhe kushtet e duhura për stërvitje, si dhe ngritjen e ekipeve të moshave,” tha Isai.
Gjithashtu, gjatë këtij muaji pritet një vizitë nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të diskutuar bashkëpunimin mbi fushat sportive dhe projektet e përbashkëta me Bashkinë Kolonjë.
Kujtojmë se vite më parë, Gramozi kishte sjellë në Shqipëri një skuadër të madhe si Real Madrid, për një ndeshje miqësore në stadiumin “Qemal Stafa”, duke treguar historikun ambicioz të klubit. Me investimin e ri, qyteti i Ersekës dhe klubi Gramozi shohin një të ardhme premtuese për futbollin vendas.