Investimet shqiptare jashtë vendit arrijnë rekord historik, 160 milionë euro në 6-mujorin e parë 2025

Investimet e kompanive shqiptare jashtë vendit po rriten për të pestin vit radhazi, duke arritur nivele rekord. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti ato kapën vlerën e 160 milionë eurove, një rritje prej 12.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ky është niveli më i lartë historik i kapitalit shqiptar të investuar jashtë vendit. Pjesa më e madhe e tyre lidhet me injektim kapitali në shoqëritë e kontrolluara nga bizneset shqiptare jashtë kufijve, mbi 60% e totalit. Pjesa tjetër janë fitime të riinvestuara ose hua nga aksionarët shqiptarë për filialet e tyre.

Ndërkohë, bilanci neto i investimeve të huaja direkte në Shqipëri për 6-mujorin 2025 ishte negativ me 599 milionë euro, çka tregon se hyrjet e kapitalit të huaj mbeten shumë më të larta se daljet. Megjithatë, diferenca është ngushtuar me 1.8% krahasuar me vitin e kaluar, falë ritmeve më të shpejta të rritjes së investimeve shqiptare jashtë vendit.

Edhe pse statistikat nuk japin shpërndarje gjeografike apo sektoriale, është e qartë se prania e grupeve të mëdha shqiptare në tregjet e huaja po zgjerohet. Balfin Group ka tashmë një portofol prej 100 milionë eurosh në Austri, me synimin për ta çuar në 200 milionë, dhe është aktiv në Zvicër, SHBA e Kanada. Po ashtu, Grupi Kastrati ka hyrë në tregun amerikan me blerjen e DUA Hotel Miami.

Kosova mbetet destinacioni kryesor i kapitalit shqiptar jashtë vendit. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se deri në fund të marsit 2025, stoku i investimeve shqiptare atje arriti në 490 milionë euro, duke e renditur Shqipërinë si investitorin e pestë më të madh në Kosovë.

Ky trend pasqyron një ndryshim të rëndësishëm: bizneset shqiptare nuk janë më vetëm pritëse të kapitalit të huaj, por po shndërrohen në investitorë të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë. MONITOR

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME