Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, mori pjesë në Sesionin Plenar “IMAGINE” gjatë konferencës Walk 21 Tirana, ku u diskutua mbi vizionin politik, angazhimet konkrete dhe mundësitë që kanë institucionet për të ndërtuar qytete më të aksesueshme për këmbësorët dhe komunitete më të shëndetshme.
Në fjalën e tij, Llatja theksoi rëndësinë e veprimeve të qarta dhe investimeve urbane që vendosin njerëzit në qendër të zhvillimit të qyteteve. Ai shtoi se çdo vendimmarrje duhet të orientohet drejt krijimit të hapësirave të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe miqësore për këmbësorët, duke përmirësuar cilësinë e jetës, lëvizshmërinë dhe lidhshmërinë mes komuniteteve.
Kryebashkiaku vuri gjithashtu në dukje se partneriteti mes qyteteve, institucioneve dhe komuniteteve është çelësi për ta kthyer këtë vizion në realitet. Sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë ndërinstitucional dhe përfshirja aktive e qytetarëve janë themeli për të ndërtuar qytete të gjelbra, të sigurta dhe të qëndrueshme, ku çdo qytetar ndihet i respektuar dhe pjesë e procesit vendimmarrës.
Llatja përmendi se për Elbasanin, prioritet mbetet krijimi i hapësirave urbane të qëndrueshme dhe miqësore për këmbësorët, investimi në infrastrukturë të gjelbër dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimeve për qytetarët. Ai nënvizoi se kjo qasje nuk përqendrohet vetëm në aspektin estetik të qytetit, por edhe në sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e komunitetit.
albaniaexpress.al