Në takimin e sotëm për Paketën e Maleve kryetari i bashkisë së Skraparit, Adriatik Mema, ngriti shqetësimin lidhur me kërkesat që kanë ardhur për të investuar në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit.
Gjatë bashkëbisedimit me kryeministrin Edi Rama, Mema tha se një pjesë shumë e mirë e aplikimeve janë në malin e Tomorit, që është Park Kombëtar.
“Ne si bashki ndeshemi me një problem, ndërkohë që sot janë 19 kontrata që subjekte të ndryshme kanë përfituar nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, në bashki paraqesin kërkesë për t’u pajisur me leje. Agjencia e Zhvillimit të Territorit na është bërë pengesë për shkak se nuk e miraton atë që quhet akti i konformitetit për projektet që ata paraqesin”, parashtroi Mema.
“Zonat e mbrojtura, ne sipas ligjit i kemi të kategorizuara dhe përveç atyre zonave që janë në kategorinë më të lartë të mbrojtjes ku s’mund të bësh dot asgjë, në pjesën tjetër këto lloj investimesh që janë miqësore me mjedisin dhe promovojnë turizmin janë të mundura, por është kanal tjetër, pra nuk hyn tek paketa e maleve”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se “në rast se do investosh në një zonë që është zonë e mbrojtur do bësh një agroturizëm si gjithë të tjerët dhe do marrësh ato benefite që marrin dhe të tjerët, agroturizmi kështu siç është edhe pa Paketën e Maleve është me incentiva fiskalë të jashtëzakonshëm nuk ka asnjë lloj barre fiskale”.
Ministri i Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo sqaroi se “problemi që ngre kryetari i bashkisë së Skraparit është jashtë kontekstit të Paketës së Maleve se flasim për kontrata qiradhënieje të dhëna nga zonat e mbrojtura dhe ato variojnë me sipërfaqe të ndryshme. Arsyeja që janë dhënë ato kontrata, nuk janë dhënë për ndërtim, por për shfrytëzim, blegtori kullota etj”.
Sipas Demos, Paketa e Maleve nuk është se i përjashton zonat e mbrojtura.
“Zonat e mbrojtura kanë një ligj të posaçëm që i kategorizon ato dhe nëse dikush plotëson kriteret ligjore, por ai territor, ajo pronë, që ai disponon është brenda një zone të mbrojtur patjetër hallkat që do të ndjekin procedurën më pas, kuptohet që do të trajtohet në bazë të ligjit të zonave të mbrojtura. Ne nuk e shkelim në asnjë rast atë çfarë është edhe pjesë e strategjisë së qeverisë shqiptare që t’i mbrojmë zonat e mbrojtura, por aty ku ligji e ka parashikuar, ku zhvillimet e një tipologjie të caktuar mund të zhvillohen Paketa e Maleve mund të zhvillohet”, tha Demo.