Interi i Kristian Kivut tregon rikthim me fitore ndaj Sasuolos

Interi i Kristian Kivut ka dhënë shenjat e para të qarta të ringritjes. Pas dy humbjeve të dhimbshme, zikaltrit reaguan fuqishëm duke marrë një fitore të rëndësishme ndaj Sasuolos në San Siro. Skuadra tregoi karakter dhe personalitet, edhe pse ndeshja pati momente tensioni dhe pasigurie në fund. Për trajnerin e ri, kjo është një sinjal i rëndësishëm se ekipi ka energji të reja dhe dëshirë për të dalë nga periudha e vështirë.

Në vetëm pak ditë, Interi ka lënë pas zhgënjimin e humbjes ndaj Udineses dhe përmbysjen e dhimbshme në Stadium. Fitoret e fundit kanë rikthyer moralin, duke hapur rrugën për një fazë më të qetë si në kampionat, ashtu edhe në Europë. “Operacioni rikuperim” duket se ka filluar dhe pritshmëritë janë që zikaltërit të forcojnë pozitat në garën për Champions League.

Ndeshja kundër Sasuolos tregoi shumë fytyra të Interit. Fillimisht, skuadra dominonte dhe krijoi raste të shumta, por humbjet e disa shanseve mbajtën rezultatin të hapur. Më pas, ulja e tensionit lejoi Kedirën të ngushtonte diferencën. Megjithatë, dy golat e Karlos Augustos i dhanë frymëmarrjen e nevojshme ekipit, duke i lejuar të menaxhonte minutat e fundit me maturi.

Analiza e lojës nxjerr disa pika kyçe: Suçiç tregoi përvojë dhe mori kontrollin e mesfushës, ndërsa në mbrojtje Akanzhi ende nuk ofron stabilitetin që jepte Pavard, por paraqitja e tij është e qëndrueshme. I riu Pio Esposito po bën hapa të mëdhenj drejt rolit të protagonistit; ndaj Ajaksit dha shembull sakrifice, ndërsa kundër Sasuolos tregoi se mund të jetë i rrezikshëm. Portieri Muriç mohoi një gol që do të shënonte debutimin e ëndërruar në Serie A, por koha është në anën e tij.

Pavarësisht vështirësive të vogla, Interi po jep sinjale të një grupi që po mëson të funksionojë bashkë, edhe kur formacioni ndryshon. Mekanizmat e lojës janë të dukshëm, një meritë e punës së Kivut, i cili duket se ka fituar respektin e dhomës së zhveshjes.

Tani për zikaltërit vijnë dy javë të rëndësishme. Kalendari në letër është i favorshëm: transfertë me Kaljarin dhe ndeshje në shtëpi ndaj Kremoneses, ndërmjet të cilave qëndron sfida evropiane me Slavia Pragën. Këto ndeshje ofrojnë mundësi për të mbledhur pikë, për të afruar distancën me rivalët dhe për të shkuar në pushim me moral të lartë.

Rikthimi në garë për kreun mbetet objektiv, por mbi të gjitha është e rëndësishme që Interi të gjejë stabilitetin. Kundër Sasuolos u pa një ekip i aftë të dominojë, edhe pse ende ka detaje për t’u përmirësuar. Lajmi më i mirë për Kivun dhe skuadrën e tij është se rikuperimi ka nisur dhe rruga duket e hapur për një vazhdimësi më pozitive.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME