Interi ka mbyllur me një fitore përgatitjet për sezonin e ri. Zikaltrit kanë mposhtur dje në miqësore ekipin e Olimpiakos, duke mbyllur pozitivisht ndeshjet që trajneri Kivu kishte planifikuar për të bërë gati skuadrën për kampionatin.
Por jo çdo gjë ka shkuar sipas planeve për teknikun zikaltër. Në pjesën e parë të ndeshjes, Federiko Dimarko u bë protagonist duke shënuar golin e avantazhit për zikaltrit. Por pas rreth 30 minutash në fushë ai bëri shenjë për zëvendësim se nuk mund të vazhdonte më.
Nuk dihet ende situata e mbrojtësit titullar të Interit, por padyshim këto nuk janë sinjale të mira pak ditë para startit të sezonit. Dimarko mbetet një titullar fiks i skuadrës dhe mungesa e tij do të shkaktonte jo pak probleme në javët e para të Serisë A për Interin që synon të bëjë një start sa më të mirë, që të konfirmohet menjëherë mes protagonistëve.

