Ndeshja mes Flamurtari FC dhe AF Elbasani në Vlorë është mbyllur në një atmosferë të tensionuar, me incidente dhe përplasje të forta si në tribuna ashtu edhe në ambientet e brendshme të stadiumit.
Menjëherë pas përfundimit të takimit, futbollistët e AF Elbasanit iu drejtuan tribunës ku ndodheshin tifozët e tyre për të festuar. Por situata u tensionua shpejt, pasi mes tifozëve elbasanas dhe forcave të policisë në stadium pati përplasje për disa minuta. Në këtë moment ndërhyri edhe drejtori i Flamurtarit, Alfred Ferko, i cili u afrua pranë tribunës për të qetësuar situatën.
Ndërkohë, nga ana e tifozëve vendas pati edhe hedhje sendesh dhe fishekzjarrësh në drejtim të futbollistëve dhe tifozëve të Elbasanit, duke shtuar më tej tensionin në stadium.
Incidentet vijuan edhe në tunelin që të çon drejt dhomave të zhveshjes. Sipas raportimeve dhe pretendimevevtë klubit të futbollit vlonjat , kapiteni i Elbasanit, Musta, dyshohet se ka provokuar futbollistët dhe stafin e Flamurtarit, të cilët po largoheshin drejt dhomave të zhveshjes.
Situata degjeneroi më pas në përplasje mes lojtarëve të të dy skuadrave, ku raportohet se nuk munguan as aktet e dhunës fizike. Për të vënë nën kontroll situatën u desh ndërhyrja e forcave të rendit.
Në momentet e tensionit u përfshi edhe trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenović, i cili u përpoq të afrohej për të qetësuar futbollistët e tij, por u ndalua nga forcat e sigurisë, siç duket edhe në pamjet që po qarkullojnë në rrjet.
Ngjarja pritet të analizohet nga organet përkatëse sportive dhe disiplinore, ndërsa nuk përjashtohen masa ndëshkuese pas incidenteve të ndodhura në stadium.

